LajmeMaqedoniTeknologji

Fushatë onlajn për ngritjen e vetëdijes kundër shqetësimit seksual në vendin e punës

Organizata e pavarur hulumtuese Reaktor – Hulumtim në aksion, lansoi fushatë onlajn për ngritjen e vetëdijes kundër shqetësimit seksual në vendin e punës.

Fushata është e përbërë nga disa publikime informative dhe ka për qëllim t’i informojë qytetaret dhe qytetarët për format e shqetësimit seksual në vendin e punës, ligjet sipas të cilave kjo vepër është e ndëshkueshme, si dhe të japë shembuj të cilat bazohen në përvoja të ndara anonime me shqetësimin seksual në vendin e punës, si pjesë e studimit të Reaktor.

“Sipas rezultateve të hulumtimit për diskriminimin e bazuar gjinor dhe tregut të punës në Maqedoni të Veriut, shqetësimi seksual në vend të punës është gjerësisht i shtrirë dhe për fat të keq i normalizuar në disa forma. Rezultatet tregojnë se pakica guxojnë ta paraqesin shqetësimin e përjetuar, edhe pse është e ndëshkueshme me ligj”, kumtuan nga organizata.

Nga Reaktor theksojnë se shqetësimi seksual është çfarëdo lloj forme e veprimit të padëshiruar verbal, joverbal apo fizik e natyrës seksuale, që ka për qëllim apo pasojë, shkeljen e dinjitetit apo krijimin e mjedisit, qasjes ao praktikës kërcënuese, armiqësore, poshtëruese apo frikësuese.

“Shqetësimi seksual në vend të punës është formë e diskriminimit, Sipas Kodit penal, diskriminimi është vepër penale e ndëshkueshme me dënim me burg prej gjashtë muajve deri në pesë vite. Plotësisht, sipas Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, shqetësimi seksual është i ndëshkueshëm me dënim në të holla deri 10.000 euro”, thonë nga organizata.

Përveç në Maqedoni të Veriut, fushatë e njejtë po mbahet edhe në pesë shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat janë partnere të Reaktorit në këtë projekt – Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, dhe pritet të zgjasë 11 ditë, prej 18 deri më 30 tetor.

Reaktori i inkurajon viktimat e shqetësimit seksual ta paraqesin të njejtin në Inspektoratin shtetëror për punë, Komisionin për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, organizatat qytetare të cilat sigurojnë ndihmë juridike primare pa pagesë apo në stacionin policor.

Fushata është pjesë e nismës “Lufta kundër diskriminimit, avancimi i të drejtave të punës të grave” dhe është mbështetur nga Komisioni evropian dhe bashkëfinancuar nga Agjencia suedeze për zhvillim ndërkombëtar dhe bashkëpunim (Sida)

Related Articles

Back to top button
Close
Close