BotaLajme

Franca dhe Greqia kërkojnë vaksinim me detyrim për këta punonjës

Pas Italisë dhe Francës, edhe Greqia do të aplikojë vaksinimin e detyrueshëm kundër Coronës për punonjësit e shëndetësisë dhe kujdesit. Shkaku: përhapja e Deltës.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis janë larguar nga kursi i vaksinimit vullnetar kundër COVID-19. Të dy ata njoftuan se do të duhej të vaksinoheshin personat që punojnë në sistemin e kujdesit shëndetësor. “Nëse nuk veprojmë tani, numrat e infektimeve në klinika do të rriten”, tha presidenti Emmanuel Macron, në një fjalim televiziv.

Pa vaksinim nuk ka punë dhe para

Në Francë, të gjithë punonjësit në spitale, ata që punojnë me të moshuar ose në shtëpitë e kujdesit për moshën e tretë, duhet të vaksinohen më së voni deri më 15 shtator. Ndryshe, sipas ministrit të Shëndetësisë Olivier Véran, ata nuk do të jenë më në gjendje të punojnë dhe nuk do të paguhen më.

Në Greqi, vaksinimi i detyrueshëmdo të zbatohet nga mesi i gushtit për punonjësit në shtëpitë e kujdesit për të moshuar, ndërsa nga 1 shtatori për sektorin e shëndetësisë. “Ne mund të përfundojmë kapitullin e fundit të krizës shëndetësore vetëm nëse të gjithë marrin vaksinën që mundëson liri”, tha kryeministri Mitsotakis. Vendi nuk do të futet sërish në një lockdown, për shkak të qëndrimit negativ të individëve.

Në Francë, fjalimi gjysmë ore i Macronit pati një efekt të menjëhershëm. Faqja për rezervime Doctolib kumtoi në Twitter se numri i aplikimit për orare për vaksinime është rritur shumë.

Italia e para

Vaksinimi i detyruar në Evropë është një fenomen jashtëzakonisht i rrallë. Edhe Macroni fillimisht i ka përjashtuar vaksinimet me detyrim në Francë. Italia, e cila u godit veçanërisht rëndë nga pandemia, ishte një përjashtim. Ky vend ka kërkuar që punonjësit e shëndetësisë të vaksinohen në mars.

Përveç vaksinimit të detyrueshëm, Franca dëshiron ta bëjë paraqitjen e certifikatave shëndetësore si kusht për të vizituar restorantet ose qendrat tregtare, për udhëtime me trena ose fluturime brenda vendit, duke nisur nga muaji gusht. Dokumenti dëshmon se një person është vaksinuar, është shëruar apo ka bërë një test negativ. Në Greqi, kufizimet për personat që nuk janë vaksinuar do të futen në fuqi nga dita e premte (16.07).

“Gara” kundër virusit

Për grupet e rrezikuara që janë vaksinuar në fillim të këtij viti, do të ketë një rifreskim të vaksinës me një dozë të tretë në Francë, duke nisur nga shtatori. Macroni foli për një “garë” të re kundër virusit, i cili po përhapet përsëri në të gjithë Francën. Pa veprim të shpejtë, ekziston rreziku i përkeqësimit të sërishëm të gjendjes në spitale.

Në Francë, si edhe në Greqi, rreth 40 përqind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar. Në të dy vendet, numri i infektimeve të reja është rritur sërish kohët e fundit. Ekspertët thonë se shkaku i rritjes së infektimeve është përhapja e variantit Delta. Ky variant i virusit Corona është zbuluar për herë të parë në Indi./DW

Related Articles

Back to top button
Close
Close