
Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka zbuluar detaje interesante rreth përpjekjeve të klubit anglez për të transferuar Kylian Mbappen në vitin 2017, kur sulmuesi francez ishte vetëm 18 vjeç dhe aktivizohej te Monaco.
“Ky ishte ndoshta mos-transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit. Ne bëmë gjithçka për ta bindur”, u shpreh Klopp.
“Fluturuam për një kohë të gjatë, biseduam me familjen dhe hëngrëm ushqim të mirë. Ishte një eksperiencë fantastike, por në fund ai vendosi të shkonte në Paris”, kujtoi trajneri gjerman.
Megjithatë, përpjekjet nuk dhanë rezultat, pasi Mbappe zgjodhi t’i bashkohej Paris Saint-Germain, fillimisht në formë huazimi dhe më pas me një transferim të përhershëm me vlerë rreth 180 milionë euro.
Sulmuesi francez kaloi shtatë sezone te PSG, ku u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, përpara se në vitin 2024 të transferohej te Real Madridi.
Klopp drejtoi Liverpoolin për nëntë vite, duke fituar UEFA Champions League dhe Premier League, përpara se të largohej nga posti i trajnerit në vitin 2024.



