Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut thonë se përveç variantit britanik të COVID-19 nuk janë shënuar mutacione tjera të virusit, para së gjithash atij indian.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se situata epidemiologjike shkon drejt stabilizimit duke bërë thirrje që gjatë festave fetare qytetarët të sillen me përgjegjësi duke respektuar masat.
“Nëse ndonjë mutacion tjetër është përhapur në vendet evropiane, vështirë se mund të ndalet. Për këtë shkak në plan të parë flasim për përgjegjësinë e qytetarëve, sido që të jetë mutacioni, sado që të jetë i transmetueshëm ai lloj virusi, nëse respketohen masat mund të kemi rezultate të mira në parandalimin e përhapjes. Tek ne nuk është detektuar formë tjetër e virusit përvec atij britanik dhe këtë e tregojnë edhe analizat e fundit”.
Në Maqedoninë e Veriut nga e mërkura janë lehtësuar masat anti-covid, kurse gjatë festave fetare, Pashkë e Bajram, nuk do të ketë orë policore. Liderët fetarë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos ketë tubime masive nëpër tempujt fetar.
Thirrjeve iu është bashkangjitur edhe Kryeministri Zaev.
“Bëj apel që gjatë festave prioritet i parë të jetë respektimi i masave, gjithmonë të largohemi nga turma, të mbajmë distancë. Të njëjtën e pres edhe nga krerët e bashkësive fetare, që të bëjnë apel por edhe të marrin pjesë në organizimin ashtu siç kemi biseduar, që të mund t`i kremtojmë festat por edhe ta ruajmë shëndetin dhe jetën tonë dhe të gjithëve rreth nesh”.
Sipas autoriteteve të shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, imunizimi masiv i popullsisë pritet pas Festës së Pashkëve.
Në pritje të informacioneve për vaksinat nga sistemi Kovaks, nesër pritet të mbërrijnë 200 mijë vaksinat kineze “Sinofarm” kurse 5.000 deri 7.000 doza të “Pfizerit” çdo të hëne gjatë Majit.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se me këto doza të vaksinave në dispozicion, në këtë periudhë, do të mund të vaksinohen 10 mijë qytetarë brenda një dite. Për këtë qëllim po bëhen gati punkte të vaksinimit në gjashtë qytete të Maqedonisë së Veriut.