
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot iu drejtua konferencës së organizuar nga Instituti Progres, ku drejtoi kritika serioze ndaj qeverisë aktuale dhe e përshkroi gjendjen momentale si të rrezikshme për stabilitetin ekonomik dhe institucional të shtetit.
Në fjalimin e tij, Filipçe tha:
„Gjatë vitit e gjysmë të kaluar, shteti drejtohet nga një pushtet totalisht i paaftë dhe jodemokratik, i cili, mund të them lirisht, se po e çon shtetin drejt një kolapsi shtetëror dhe ekonomik.“ – tha Filipçe.
Ai paralajmëroi për një ngecje të plotë në zhvillimin e vendit, skandale të vazhdueshme dhe borxhe në rritje.
„Nga skandali në skandal, nga borxhi në borxh, asnjë progres, asnjë zhvillim i vendit në asnjë sektor. Kredi të mëdha, me prejardhje të dyshimtë, të marra në mënyrë jotransparente, 7 miliardë euro borxh, që shteti nuk e ka parë që nga viti 1991, nga pavarësia e vet“, tha Filipçe.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe krizës në sistemin e sigurisë, ku, siç tha, besimi në institucionet është dëmtuar seriozisht.
„Skandale në sferën e sigurisë, si në Agjencinë për Siguri Kombëtare, me diploma të falsifikuara, vrasje të përditshme, automjete të djegura në Shkup, rrugë të pasigurta. Kjo është përditshmëria që po e jetojmë me VMRO-DPMNE-në“, tha Filipçe.
Sipas tij, ka stagnim edhe në arsim, shëndetësi dhe standardin e qytetarëve, me ç’rast rrënohet themeli i çdo shoqërie funksionale.
„Asgjë nuk po ndodh as në arsim, fëmijët nuk kanë libra shkollorë, mësuesit, për fat të keq, nuk shpresojnë më as për rritje rrogash. Punëtorët nuk mund ta lidhin fundin me fund. Në të gjitha thirrjet për rritjen e pagës minimale dhe mesatare, kjo qeveri nuk ka dëgjim. Nuk i kontrollojnë çmimet në markete sepse janë partnerë të kompanive të mëdha në çdo sferë“, tha Filipçe.
Ai vlerësoi se pushteti aktual nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie dhe se qytetarët janë harruar dhe lënë pas dore.
„Njerëzit janë në vend të fundit, për fat të keq, për këtë qeveri. As në shëndetësi nuk po ndodh asgjë. Njerëzit nuk shohin më shpresë se diçka do të përmirësohet.“
Në përfundim, Filipçe theksoi se LSDM do të vazhdojë të flasë me zë të lartë për këto probleme dhe do të ofrojë zgjidhje konkrete për dalje nga kjo krizë serioze institucionale dhe ekonomike.



