
“Grupi parlamentar i LSDM-së po përgatit një ligj të veçantë që do të ofrojë mbështetje konkrete dhe të drejtpërdrejtë për familjet e prekura nga tragjedia në Koçan. Ligji, i cili do t’i paraqitet Parlamentit javën e ardhshme, është modeluar sipas praktikave nga disa vende anembanë botës që kanë reaguar me masa të ngjashme pas aksidenteve të mëdha”, njoftoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Në një intervistë për Alsat, Filipçe tha se ligji parashikon ndihmë financiare dhe institucionale për familjet e viktimave, si dhe mbështetje shtesë për ata që kanë anëtarë të lënduar.
Lidhur me protestën e sotme të prindërve të fëmijëve të vrarë në tragjedi, e cila u zhvillua para Kuvendit, kryetari i LSDM-së theksoi se takimi me ta u zhvillua me kërkesën e tyre, pa asnjë prapavijë politike.



