
Bashkë me Orhan Murtezani, Ministër i Çështjeve Evropiane, Steffen Hudolin, Shef i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së, dhe Christa Arent, Këshilltare e Lartë për Menaxhimin Rajonal dhe Mbikëqyrjen në UNOPS, diskutuam mbi rëndësinë e mbrojtjes së interesit financiar publik në projektet infrastrukturore të financuara nga BE-ja.
Ky takim pune u organizua nga programi i përbashkët i Qeverisë së Norvegjisë dhe UNOPS-it, “Knowledge for Reform Action in the Western Balkans”, një iniciativë që synon forcimin e transparencës dhe menaxhimit të fondeve publike në rajon.
Theksova se korrupsioni në infrastrukturë nuk është vetëm një çështje financiare, por një pengesë për zhvillimin dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve. Studimet tregojnë se praktikat korruptive mund të rrisin kostot e projekteve deri në 30%, duke dëmtuar investimet publike dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ndërmerr hapa konkretë për të adresuar këtë sfidë, përfshirë digjitalizimin e plotë të prokurimeve publike, forcimin e njësive të auditimit të brendshëm dhe promovimin e transparencës në përdorimin e fondeve publike.
Bashkëpunimi ndërkombëtar është kyç në këtë proces. BE-ja, Norvegjia dhe UNOPS po luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e reformave dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes financiare.
Faleminderit organizatorëve dhe të gjithë pjesëmarrësve për diskutimet produktive. Le të punojmë së bashku për një të ardhme evropiane për Maqedoninë e Veriut!



