BotaLajmeTopLajm

Europa ‘i tregon dhëmbët’ Turqisë, fillojnë sanksionet për tensionet në Mesdhe

Udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë rënë dakord mbi hapat e parë për sanksione kundër Turqisë. Ky veprim i vendeve të bllokut vjen pas tensioneve në Mesdheun Lindor që u shkaktua nga kërkimshpimi për gaz natyror nga Ankaraja, në brigjet e Greqisë dhe Qipros. “Këshilli miratoi sanksione përballë veprimeve dhe provokimeve të njëanshme të Turqisë”, shkroi ministri francez për Çështjet Evropiane.

Në gusht, Turqia dërgoi një anije kërkimi gazi për të vëzhguar shtratin e detit në ujërat e pretenduara nga Qiproja dhe Greqia, duke shkaktuar një mosmarrëveshje diplomatike me Bashkimin Europian. Që nga ajo kohë, Brukseli ka parë mundësitë e tij për të bërë presion ndaj Turqisë për të ndaluar kërkimet e gazit në rajon.

Vendimi i marrë nga institucionet e BE-së, hap rrugën për penalizimin e individëve dhe kompanive të përfshira në planifikimin dhe kryerjen e kërkimit të gazit, ndalime udhëtimi në Bashkimin Europian dhe ngrirjen e aseteve.

“Për fat të keq, Turqia është angazhuar në veprime të njëanshme dhe provokime dhe përshkallëzoi retorikën e saj kundër Bashkimit Europian, vendeve anëtare të BE dhe udhëheqësve europianë,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga Brukseli.

Në reagim, ministria e Jashtme turke tha se qasja e BE-së ishte “e njëanshme dhe e paligjshme”.

Udhëheqësit europianë lanë derën e hapur për një masë më të rreptë në të ardhmen, duke udhëzuar shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të përpilojë një raport mbi marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare BE-Turqi.

27 vendet e BE thuhet se janë të ndara për mënyrën më të mirë të trajtimit të Turqisë. Franca dhe Qipro kanë shtyrë për masa më të ashpra, por vendet e tjera janë të shqetësuara për minimin e mëtejshëm të ekonomisë tashmë të shkatërruar të vendit dhe destabilizimin e rajonit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close