MaqedoniRajonTopLajm

Eskobar: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria t’i fillojnë bisedimet me BE-në para fundit të këtij viti

Porosia më e fuqishme të cilën BE-ja tani mund ta dërgojë është të fillojë bisedime për anëtarësim në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë para fundit të këtij viti kalendarik, deklaroi sot Gabriel Eskobar, zëvendëssekretar shtetëror për Çështje Evropiane dhe Auroaziatike të SHBA-së.

Me këtë, tha ai, “do të hidhet poshtë dëshpërimi i popullsisë në rajon nga politikat evropiane dhe të ndërpritet ndikimi dashakeq i Rusisë dhe Kinës të cilat punojnë kundër zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë marrjes në pyetje para Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për politikë të jashtme në temë angazhimi i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Eskobari tha se edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria e përfunduan punën e rëndë që kërkohej nga ato dhe se procesi duhet të fillojë pa shtyrje.

“Shtyrja e procesit pasi Këshilli i Ministrave më 22 mars rekomandoi fillimin e bisedimeve, përhap dyshime në rajon dhe rrezikon përjashtimin e shpresave të gjeneratave të reja të cilat duan të ardhme në BE”, theksoi Eskobar.

Ai e përsëriti deklaratën e përbashkët të sekretarit shtetëror Entoni Blinken dhe përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme të BE-së, Zhozep Borel nga 14 tetori se eurointegrimi është shpresa e vetme për rajonin.

Eskobar theksoi se SHBA-ja gjatë dhjetë viteve të kaluara ka siguruar 2,4 miliardë dollarë ndihmë për rajonin. Vetëm për vitin fiskal 2021, theksoi, ndamë më shumë se 120 milionë dollarë për ndihmë për integrimin e rajonit në BE dhe ndërtim të rezistencës drejtë ndikimeve të jashtme negative.

Eskobar tha se Moska dhe Pekini në mënyrë aktive kundërshtojnë anëtarësimin e rajonit në BE.

Sipas tij, Rusia i përdor si armë karburantet me të cilat i furnizon Evropës që t’i shantazhojë politikanët, stimulojë korrupsionin dhe ndalojë potencialin për zhvillim. “Kina gjithashtu e përhap ndikimin e saj në infrastrukturën kritike dhe me kushtëzime në ekonomi. Ne nuk guxojmë t’u lejojmë të kenë sukses”, porositi ai.

Tha se Ballkani Perëndimor është ekonomikisht rajon dinamik me qëllim që të përfshihet në tregun e vetëm evropian.

Eskobari i lavdëroi iniciativat si Tregu i Hapur Rajonal dhe Agjenda e Gjelbër dhe theksoi se administrata e presidentit Xho Bajden e ka theksuar përkushtimin e saj që të punojë me aleatët për ndihmë të Ballkanit Perëndimor që ta realizojnë rrugën e tyre evropiane.

Related Articles

Back to top button
Close
Close