
Alban Krasniqi, bashkëshorti i u.d. presidentes Albulena Haxhiu, e ka quajtur “vrasës” kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Të martën në mëngjes, Rama ka publikuar në Facebook një fotografi nga shtrimi i asfaltit në Rrugën A.
“Mirëmëngjesi nga rruga ‘A’ 🚧 Shtresa e dytë e asfaltimit!” ka shkruar Rama në Facebook.
Ndërsa në hapësirën e komenteve ka shkruar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi.
“Jo mirëmëngjesi, por alo prokuroria or vrasës”, e ka akuzuar ai, Ramën.
Në afërsi të Rrugës A një ditë më parë humbi jetën një punëtor në vendpunishte, pas rrëzimit të një vinçi.
Pas rastit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli tha se përgjegjësia direkte për këtë bie mbi Inspektoratin Komunal dhe Komunën e Prishtinës. Ajo kërkoi llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme.
E Rama ka thënë se vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë është kompetencë e Inspektoratit të Punës në nivel qendror.



