BotaLajme

Erdogan nuk tërhiqet: Kundërshton anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Pavarësisht përkrahjes së gjerë ndaj aspiratës së tyre për t’iu bashkuar NATO-s, Finlanda dhe Suedia duket se nuk do ta kenë të lehtë të bindin njërin prej anëtarëve: Turqinë.

Presidenti Rexhep Taip Erdogan konfirmoi qëndrimin kundër anëtarësimit të dy vendeve skandinave, vetëm disa ora pasi ato zyrtarizuan vendimin për aplikim.

Numri një i Ankarasë tha se nuk ishte nevoja që dy shtetet të dërgonin delegacione për të bindur Turqinë, një shtet kyç i aleancës ushtarake.

“Ata duan të vijnë këtu për të na bindur. Më falni, por mendoj se ata nuk duhet të mundohen. Pikë së pari, ne nuk mund t’i themi po atyre që vendosin sanksione ndaj Turqisë. Sepse nëse këto 2 shtete do të anëtarësoheshin NATO nuk do të ishte më organizatë e sigurisë, por një vend ku janë përqendruar organizatat terroriste”, tha Erdogan.

Erdogan akuzon Finlandën dhe Suedinë për strehimin e personave që kanë lidhje me PKK-në kurde, e konsideruar organizatë terroriste në Turqi, dhe mbështetës së Fetullah Gylen, i cili sipas Ankarasë është orkestrues i grushtit të dështuar të shtetit në 2016-n.

Në konferencën e së hënës, presidenti turk tha se asnjë prej këtyre vendeve nuk ka qëndrim të hapur kundër organizatave terroriste.

Numri një i Ankarasë është i zemëruar edhe me faktin se dy shtetet nordike kanë vendosur embargo armësh ndaj Turqisë në vitin 2019, për shkak të ndërhyrjes së saj në luftën në Siri.

Gjatë fjalës së tij në parlament, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, tha se ishte i befasuar nga qëndrimi i Turqisë, por shtoi se qeveria e tij nuk ishte e interesuar të bënte pazare me Erdogan./alsat-m

Related Articles

Back to top button
Close
Close