
Në vazhdimin e dëshmisë së tij në Gjykatë, eksperti i ndërtimtarisë, profesori Goran Markovski nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup, paraqiti gjetjet e ekspertizës ndërtimore, e cila përbën një nga provat kryesore të Prokurorisë në procesin gjyqësor kundër 34 të akuzuarve për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan njoftona INA.
Gjatë prezantimit, Markovski shfaqi dy skica të objektit: njëra nga koha kur objekti përdorej për industri të lehtë, ndërsa tjetra pasi ishte shndërruar në objekt hotelierik.
“Do të ndalem vetëm te aspekti i sigurisë dhe mundësia e evakuimit të vizitorëve. Në skicën e parë të objektit industrial qëndronin vetëm disa persona. Në të dytën, pas ndërtimit të shankeve, mureve, shkallëve, galerive dhe elementeve të tjera, në objekt qëndronin mbi 500 persona. Këto elemente të ndërtuara më vonë e pengonin evakuimin e njerëzve dhe përbënin barriera për largimin e tyre në rast rreziku, gjë që tregon se gjatë përshtatjes së objektit nuk është marrë fare parasysh siguria e vizitorëve”, deklaroi profesori.
Sipas ekspertizës, ndërhyrjet ndërtimore dhe vendosja e barrierave e materialeve të ndezshme, që rezultuan fatale për mysafirët, janë kryer gjatë viteve 2012 dhe 2024, pa leje ndërtimi, pa mbikëqyrje inspektuese, pa dokumentacion dhe jashtë çdo procedure ligjore.
Nga fotografitë e paraqitura në sallën e gjyqit u pa se pronari i diskotekës “Puls”, Dejan Jovanov, në mënyrë amatore kishte përforcuar pllakën nën objekt për të shmangur shembjen e saj. Më pas mbi të ishin vendosur konstruksione metalike, shanke, galeri, shkallë metalike dhe mobilie, duke i ekspozuar vizitorët ndaj rrezikut për vite me radhë, pa dijeninë e tyre.
Duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit Darko Jakimovski, profesori Markovski tha se përgjegjëse për kontrollin e objekteve dhe ndryshimeve të destinimit është inspektorati i ndërtimit, i cili ka kompetencë të veprojë edhe pasi punimet kanë përfunduar.
“Nëse një objekt është ndërtuar në kundërshtim me ligjin, inspektorati ka të drejtë dhe detyrim të kërkojë kthimin e tij në gjendjen fillestare. Paramendoni sikur ndërtuesit ilegalë të garonin me inspektoratin për të ndërtuar sa më shpejt para se të mbërrinte kontrolli. Pikërisht për këtë arsye, inspektorati ka kompetencë të ndërmarrë masa edhe pas përfundimit të punimeve. Kjo nuk ka ndodhur në rastin e ‘Puls’. Nuk gjetëm asnjë shpjegim logjik pse inspektorët kompetentë lokalë të ndërtimit nuk e ndalën ndërtimin dhe rikonstruksionin e paligjshëm, edhe pse kishin mundësi ta bënin këtë. Përveç tyre, edhe institucione dhe inspektorate të tjera kanë pasur kompetenca për të reaguar”, tha Markovski.
Në mesin e të akuzuarve ndodhen edhe disa ish-inspektorë të ndërtimit të Komunës së Koçanit.
Seanca gjyqësore vazhdon me pyetje të tjera drejtuar ekspertit lidhur me kompetencat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Pavarësisht kundërshtimit të njërit prej avokatëve, i cili pretendoi se eksperti i ndërtimtarisë mund të fliste vetëm për aspektet ndërtimore, gjykatësja e lejoi pyetjen. Markovski e nisi përgjigjen me fjalët:
“Mbrojtja nga zjarri mësohet edhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë…”
Dëshmia e tij vazhdon./INA/



