Edhe rajoni i Rekës pa asnjë fillorist shqiptar

Emigrimi boshatis rajonet perëndimore në Mavrovë dhe Rostushë, në shkollat me mësim në gjuhën shqipe këtë vit nuk është regjistruar asnjë nxënës i klasës së parë

Vjollca SADIKU

Dibër, 4 shtator – Dikur zhurma e fëmijëve mbushte oborret e shkollave, ndërsa sot në disa prej tyre heshtja është bërë pjesë e përditshmërisë. Fshatra të tëra po boshatisen, familjet po largohen dhe shkollat po mbyllen njëra pas tjetrës. Në vend të bankave të mbushura me nxënës, kanë mbetur klasa me pak fëmijë ose edhe pa asnjë të regjistruar, shkruan gazeta KOHA.

Emigrimi dhe migrimi masiv i popullsisë nga rajonet më perëndimore të vendit po lënë gjurmë të drejtpërdrejta edhe në sistemin arsimor. Të dhënat nga institucionet arsimore në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës tregojnë një realitet shqetësues: në vitin shkollor 2026/2027, në shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe nuk është regjistruar asnjë nxënës shqiptar i klasës së parë. Situata është veçanërisht e rëndë në zonat malore, ku largimi i familjeve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe drejt qyteteve më të mëdha të vendit, ka reduktuar ndjeshëm numrin e banorëve dhe, rrjedhimisht, edhe numrin e fëmijëve në shkolla.

Në shkollën periferike në fshatin Sencë, e cila funksionon në kuadër të shkollës qendrore “Josip Broz Tito“ në fshatin Zhirovnicë, këtë vit nuk është regjistruar asnjë nxënës shqiptar i klasës së parë. Këtë e konfirmon drejtori i shkollës qendrore, Naser Ejupi. “Në shkollën periferike në fshatin Sencë, që funksionon në kuadër të shkollës qendrore ‘Josip Broz Tito’ në fshatin Zhirovnicë të Komunës së Mavrovës dhe Rostushës, nuk ka të regjistruar filloristë shqiptarë“, thotë Ejupi.

Megjithatë, shkolla ende vazhdon të funksionojë me vetëm pesë nxënës, të cilët mësojnë në paralele të kombinuara në gjuhën shqipe. Situatë e ngjashme është edhe në fshatin Nistrovë. Drejtoresha e shkollës, Violeta Anastasovska, thotë se as atje këtë vit nuk është regjistruar asnjë nxënës shqiptar i klasës së parë. Në shkollën e Nistrovës aktualisht mësojnë vetëm gjashtë nxënës, po ashtu në paralele të kombinuara në gjuhën shqipe.

Shembulli më i dhimbshëm i boshatisjes është fshati Vrbjan, i banuar tradicionalisht nga shqiptarë. Shkolla fillore këtu është mbyllur prej tre vitesh, pasi nuk kishte më nxënës. Shkaku kryesor është emigrimi masiv.

Banorët e Vrbjanit janë larguar drejt Italisë, Zvicrës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, ndërsa një pjesë janë shpërngulur edhe drejt Gostivarit, Tetovës dhe Shkupit. Shifrat tregojnë më së miri përmasat e zbrazjes së fshatit. Sipas regjistrimit të vitit 2002, Vrbjani kishte 625 banorë, prej të cilëve 622 shqiptarë. Në regjistrimin e vitit 2021, numri i përgjithshëm i banorëve kishte rënë në 187, prej të cilëve 163 shqiptarë. Sot, sipas banorëve, në fshat kanë mbetur vetëm rreth 20 persona, që jetojnë në katër shtëpi. Nga një fshat i gjallë, me familje, fëmijë dhe shkollë, Vrbjani sot përballet me një realitet krejt tjetër.

Në Vrbjan takojmë ish-banorë të fshatit, mes tyre edhe arsimtarin Fatbi Shabani. Ai me emocion kujton kohën kur fshati ishte plot jetë, ndërsa sot përshkruan një vend pothuajse të boshatisur. “Popullata e braktisi fshatin. Shumë migruan jashtë vendit, por një pjesë u shpërngulën edhe në qytete të tjera të vendit. Emigrimi ka qenë më i madh drejt Italisë dhe Zvicrës, ndërsa brenda vendit shumë banorë të Vrbjanit janë shpërngulur në Gostivar“, tregon Shabani. Sot, thotë ai, në fshat kanë mbetur vetëm rreth 20 banorë. “Shkolla nuk funksionon prej tre vitesh“, thotë me keqardhje Shabani, i cili edhe vetë e ka familjen jashtë vendit.

Vrbjani dikur njihej si një fshat malor ku banorët merreshin kryesisht me blegtori, por edhe me profesione të tjera. Sot, mungesa e njerëzve ka ndryshuar tërësisht pamjen e tij.

Rënia e numrit të nxënësve nuk është vetëm problem i arsimit. Ajo është pasqyra më e dukshme e një procesi shumë më të gjerë demografik. Kur largohen familjet, boshatisen shtëpitë. Kur largohen fëmijët, mbyllen shkollat. Dhe kur mbyllen shkollat, një tjetër hallkë e jetës së fshatit humbet. Rasti i Vrbjanit, Sencës dhe Nistrovës tregon se emigrimi nuk po prek vetëm numrin e banorëve, por edhe të ardhmen e këtyre vendbanimeve. Në disa prej tyre tashmë nuk shtrohet më pyetja se sa nxënës do të ketë në klasën e parë, por nëse do të ketë fare fëmijë për të mbajtur hapur shkollën.