
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha sot shkurt për RTK se janë duke e pritur raportin për stabilitetin e Urës së Ibrit dhe se sapo ta marrin do ta publikojnë atë.
Javën e kaluar katër kamionë të ngarkuar rëndë erdhën nga ana jugore e urës kryesore për të testuar kapacitetin e saj mbajtës. Qëllimi ishte testimi i qëndrueshmërisë së urës, të cilën Qeveria po bën përgatitje që ta hapë edhe pse ndërkombëtarët kanë kërkuar që një çështje e tillë të jetë pjesë e dialogut.
Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment. Për çështjen e hapjes së urës, javën e kaluar është mbajtur një debat publik nën organizimin e Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut. Pjesëmarrja ishte e vogël.
Lidhur me zhvillimet e fundit në veri dhe për çështjen e urës së Ibrit, Bashkimi Evropian ka ka paralajmëruar se mund të ketë ashpërsim të masave ndaj Kosovës.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano javën e kaluar.
Stano tha se blloku evropian ai ka përcjell qëndrimin Qeverisë së Kosovës në shumë mënyra dhe nuk është vetëm BE-ja që po kundërshton vendimet e fundit të autoriteteve kosovare.
“Praktikisht të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë të mos angazhohet në këtë seri hapash të pakoordinuar, të njëshëm dhe negativë. Shpresoj që ata më në fund do të dëgjojnë mesazhin tonë dhe të na ndalojnë që të shqyrtojmë se çfarë lloje masash ne do të vendosnim në përgjigje [ndaj Kosovës] nëse situata nuk ndryshon”, deklaroi Stano.
Ndërkohë, nga Departamentit Amerikan i Shtetit, thanë se janë të shqetësuar me veprimet e fundit “të pakoordinuara” të lidershipit të Kosovës.
“Jemi të shqetësuar nga vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e tyre të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, që është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën ju keni rënë dakord”, u tha nga DASH.



