
Pas notës së protestës që i ka dërguar Athina Kievit, për herë të parë, Ministria e Jashtme e Ukrainës ka reaguar zyrtarisht për dronin detar pa pilot që u zbulua pranë ishullit grek Lefkada.
Në deklaratën e tij, ai falënderoi Greqinë dhe popullin grek për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus dhe nënvizoi rëndësinë që Kievi i kushton marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.
Ndërkohë, raporti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Greke, i dorëzuar kryeministrit, arrin në përfundimin se droni nuk mbërriti rastësisht në zonën ku u gjet, por ka shumë gjasa të ketë rënë nga një anije që lundronte në rajon.
Sipas të njëjtit raport, operatorët e tij ndodheshin në afërsi, në një anije më të madhe ose më të vogël, ndërsa më pas humbën kontaktin me mjetin.
Raporti vlerëson se objektivi i dronit ishte e ashtuquajtura “flotë në hije” ruse, konkretisht anije që dyshohet se transportonin naftë ruse në Mesdhe. Autoritetet greke po hetojnë gjithashtu mundësinë që në zonë të kenë vepruar edhe mjete të tjera të ngjashme.
Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis ka informuar homologët e tij në Bashkimin Evropian për incidentin, duke bërë të qartë se Athina nuk do të lejojë zhvillimin e operacioneve ushtarake në rajonin e Mesdheut dhe veçanërisht pranë territorit grek.
Në kuadër të reagimeve diplomatike, ambasadori grek në Kiev i dorëzoi Ministrisë së Jashtme të Ukrainës para disa ditësh një notë zyrtare proteste për dronin e gjetur në ujërat territoriale greke, duke paraqitur qëndrimin zyrtar të Athinës për incidentin.
Droni detar që alarmoi organet greke u gjet nga peshkatarë para 4 javësh në një shpellë pranë Lefkadës dhe brenda mjetit u gjetën tre detonatorë dhe një sasi lënde shpërthyese, prej gati 300 kilogramësh.



