RajonTopLajm

“Drenica që shkijve jau nalte turin” sot e ka ditëlindjen bashk me flamurin

Komandanti legjendar Adem Jashari bëri historinë, duke u flijuar më gjithë familje për Kosovën. Kjo betejë e para e këtijë lloji në historinë e njerzimit, u bë guri themeltar për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb.

Kosova përjetonte kohë të mugëta, sikur ora historike ishte ndalur

Fillimi i viteve të ’90-ta në Evropën Juglindore shënon fillimin e ndryshimeve rrënjësore në sferën politike, ekonomike dhe në të gjitha sferat shoqërore. Këto ndryshime erdhën si pasoi e Luftës së Ftohtë, rënies së Murit të Berlinit. Kjo periudhë shënon fillimin e tranzicionit demokratik në shtetet e Evropës Juglindore. Hapat e parë u bënë në Poloni, për të vazhduar me shpërbërjen e BRSS-së, rrëzimin e Murit të Berlinit, rrëzimin e regjimeve diktatoriale në Rumani, Shqipëri, shpërbërjen e ish-Federatës Jugosllave dhe luftën e përgjakshme ndëretnike të zhvilluar në procesin e shpërbërjes së saj.

Akademia e Arteve dhe Shkencave e RSS-së (Republika Socialiste e Serbisë) kishte proklamuar një politikë, sipas së cilës, populli serb kishte sakrifikuar më së shumti për Federatën Jugosllave. Si komb serb ka jetuar i ndarë nga RSS në njësi të tjera federale të Kroacisë BeH (Bosnje e Hercegovinë), po ashtu edhe në KSAK (Krahina Socialiste e Kosovës) dhe KSAV (Krahina Socialiste Autonome e Vojvodinës). Ky komb meriton të jetojë i bashkuar dhe për një bashkim duhej suprimuar të drejtat e qytetarëve joserbë. Kjo ishte brumosja e popullit serb të dirigjuar nga një politikë dogmatike e bazuar në mite.

Suprimimi i të drejtave të qytetarëve të Kosovës me shumicë shqiptare mbi 90 % kishte filluar në arsim, shëndetësi, largim të punëtoreve nga puna dhe kthim të të rinjve shqiptarë nga ushtria jugosllave në arkivole. Dhuna fizike dhe psikologjike në mënyrë sistematike nga regjimi serb që i është bërë arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë kulmoi me lëvizjet studentore, me protesta masive në mbrojte të të drejtave të tyre. Në këtë mënyrë ata filluan t’i kundërshtojnë ligjet dhe urdhrat e Serbisë. Si pasojë e kësaj kundërshtie nga ana e shqiptarëve të Kosovës, Serbia mbylli shumë shkolla, burgosi shumë profesorë dhe mjekë, duke shtuar kështu represionin e dhunshëm kundër shqiptarëve.

Pas shpalljes së Republikës së Kosovës, Serbia intensifikoi dhunën shtetërore ndaj shqiptarëve, duke zbatuar politikën e saj të shtypjes, keqtrajtimit, të shkeljes së të drejtave elementare, përfshirë edhe të drejtën për të jetuar. Si përgjigje ndaj dhunës serbe, shqiptarët zgjodhën rrugën e jodhunës nëpërmjet mjeteve të politikës paqësore shprehën kundërshtimin e okupimit serb me padëgjueshmëri qytetare, nuk participuan në asnjë proces politik të cilin Serbia e imponoi dhunshëm në Kosovë. Shumë shqiptarë që punonin në strukturat e sigurisë dhe në administratën e atëhershme, në shenjë revolte dhe solidarizimi me pjesën tjetër të popullit, lëshuan punën e tyre, duke kundërshtuar kështu të bëheshin pjesë e një dhune të paparë. Ndërsa përpjekjet shqiptare ishin kryesisht në organizimin paralel të institucioneve, politike arsimore, kulturore, informative etj.

Kataliztori i ngjarjeve dhe ndezja e motorit ndërkombëtar

Duke mos u pajtuar me okupimin serb të Kosovës dhe duke parë paaftësinë e zgjidhjes politike të krizës në Kosovë, filluan përgatitjet për formimin e UÇK-së si formacion i rregullt ushtarak dhe si kryengritje e armatosur për çlirimin e Kosovës. E formuar nga motivi çlirimtar, UÇK-ja arriti shumë shpejt ta fitojë mbështetjen e popullit dhe të paraqitet si faktor kryesor në komunikimet me faktorin ndërkombëtar. UÇK-ja paraqet formacion ushtarak i cili gëzoi njohje shumë të shpejtë ndërkombëtare.

Që në ditët e para të paraqitjes publike filluan kontaktet diplomatike të UÇK-së me diplomatët e huaj, sidomos të atyre amerikanë. Vlen të theksohet vizita e diplomatit amerikan Richard Holbrook gjatë luftës në Kosovë, fotografia e tij me Lumë Haxhiun (Hajdin Abazi) kishte bërë bujë të madhe në mediet ndërkombëtare. Holbrooku ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të luftës së Kosovës për liri.

Në këto kontakte u bë njohja de fakto, kurse de juro në Konferencën e Rambujesë, ku përfaqësuesit e UÇK-së legjitimohen si negociatorë kryesorë, kurse ish-udhëheqësi i Drejtorisë Politike të UÇK-së kryeson delegacionin kosovar në këtë Konferencë.

Marsi i komandantit legjendar Adem Jashari

Marsi i Kosovës gjithmonë ka qenë i përgjakshëm, muaj i sakrificës që kulmoi me sublimim deri në përjetësi të familjes Jashari. Vetëm pas rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përjetoi rritje masive dhe strukturim, iu bashkuan shumë djem dhe vajza. Në UÇK ishte ajka e kombit shqiptar, kështu që bënë formacionin më të organizuar ushtarak dhe politik prej se historia shqiptare mban mend.

Adem Jashari është një nga arkitektët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte kryekomandanti i UÇK-së.

Forcat policore jugosllave dhe Ushtria jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998. Adem Jashari ra heroikisht së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes. Ky është rast unik në historinë e luftërave. Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”, titullin “Hero i Kosovës” që iu dha atij në vitin 2008 nga kryeministri i Kosovës.

Adem Jashari dhe shokët e tij ishin vizionarë të lirisë. Adem Jashari ka bërë që vuajtjet e shqiptarëve sot të shpërblehen me atë që na takonte qysh në vitin 1912. Andaj përjetësia e tij është vetë pavarësia e Kosovës, është liria, shtetësia, është vetë demokracia dhe integrimi i Kosovës, është aleanca me vendet më të fuqishme dhe më të pasura dhe më demokratike të botës.

Emri Adem, ky emër hyjnor, i cili ishte i pari i njerëzimit, lindi në Festën e Flamurit. Emri tij përcjell çdo sukses të shtetndërtimit të Kosovës. Emri Adem është vetë themeli i Kosovës. Familja Jashari, epopeja e UÇK-së, janë dy nga ngjarjet më të lavdishme që janë gdhendur thellë në historinë e marsit legjendar. Marsi gjithmonë na sjell në mendje dhimbjen, por edhe krenarinë me të cilën do të rriten fëmijët e Kosovës brez pas brezi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close