
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur sekuestro preventive mbi 128.3 milionë euro në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen e Zvërnecit.
Vendimi, i marrë më 10 qershor, parashikon bllokimin e shumave monetare të depozituara në llogarinë bankare të noteres Amela Mukaj, të cilat lidhen me tre kontrata shitblerjeje tokash në zonën ku është planifikuar zhvillimi i një projekti turistik me përmasa të mëdha.
Sipas dokumentit të siguruar nga autoritetet, pjesa më e madhe e shumës së sekuestruar, 110.2 milionë euro, lidhet me kontratën e datës 24 prill 2026 mes Artur Shehut dhe kompanisë “Albanian Land Development” sh.p.k.
Po ashtu, SPAK ka vendosur sekuestro edhe mbi dy transaksione të tjera me vlerë 10 milionë euro dhe 8 milionë euro, të lidhura me Ferdinand Sulajn dhe Burbuqe Sulajn, gjithashtu në marrëdhënie kontraktore me të njëjtën kompani.
Në total, vlera e fondeve të bllokuara arrin në 128.3 milionë euro.
Sipas vendimit, të gjitha shumat ndodheshin në llogarinë bankare të noteres publike Amela Mukaj dhe ishin destinuar për ekzekutimin e kontratave të shitblerjes së tokave.



