
Djali i Adem Demaçit, Shqiptari, ka pasur kritika të mëdha për analisti e aktivistin e shoqërisë civile, Shkëlzen Gashin.
Kjo pas një bashkëbisedimi që e ka pasur ish-këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, me Milot Cakajn. Bashkëbisedim që ishte shpërndarë nga kryeministri Kurti në rrjete sociale.
Për djalin e Demaçit, Shqiptarin, emri i Adem Demaçit po keqpërdorët. Ai ka thënë se Gashi nuk ka qenë bashkëveprimtar i babait të tij.
“Po më vjen qeshë nga storja, bashkëveprimtari ky, bashkëveprimtari ai. Bashëkvepimtar është një fjalë tjetër, është ai që dytë janë futur në problem. Bashkëveprimtar nuk është fjalë adekuate. E dëgjova më herët storjen. Miloti ka qenë në parti parlamentare, kanë punuar në parti, ka dhënë shërbime, kanë punuar bashkë. Mirëpo për Shkëlzenin nuk e di në cfarë kuptimi është bashëkveprimtar”, tha djali i Adem Demaçit, raporton Nacionale.
Djali i Adem Demaçit e ka akuzuar Gashin edhe për autobiografinë që e ka shkruar për babain e tij.
“Për biografinë që e ka shkruar i ka marrë materialet nga familja dhe nga Ademi, bile e ka botuar edhe autobiografinë e paautorizuar. Ishte dashur të ndiqej edhe nga gjyqi. Tash po dalin po thonë kam punuar, kam nejt, këto janë fjalë të mëdha. Këto po keqpërdorën”, tha Shqiptar Demaçi.
“Nuk e di le të vlerëson vetë, por këto punë do të ishte e udhës të formohet fondacion me emrin e Ademit që do të merrej me analizat e punës së Ademit, historiatet e tij, veprat e tij, por edhe ta mbrojë emrin e Ademit. E jo secili njeri të thotë unë kam punuar kështu, kam punuar ashtu”, tha ai.
“Sa i përket autobiografisë që e ka bërë Shkëlzen Gashi e vlerësoj punën e tij në media, po për atë kemi pasur unë me Shklëzenin disa fërkime që baba ka thënë mos u përzijë. Unë si djalë nuk më ka pëlqy të botohet një biografi që shkruhet dhe stampohet e paautorizuar, dhe të botohet e të shitet. Pa lejen e Ademit, nuk e ka dhënë lejen, e paautorizuar, është keqpërdorje. Nuk kanë pasur kontratë dhe është bërë ajo punë. Ia vlenë me lexu, është e pasur por nuk bën me leju në aspektin juridik të keqpërdorën gjërat. Baba e ka mshelë këtë muhabet”, përfundoi Shqiptar Demaçi.



