LajmeSport

Deschamps shpjegon pse u zëvendësua Mbappe pas fitores ndaj Marokut

Franca siguroi kualifikimin në gjysmëfinalen e Botërorit 2026 pas fitores 2-0 ndaj Marokut, por pas ndeshjes shqetësimi më i madh ishte gjendja fizike e Kylian Mbappes, i cili u zëvendësua 13 minuta para përfundimit të takimit.

“Gjelat” hasën vështirësi përballë marokenëve, ndërsa Bounou priti edhe një penallti të Mbappes në pjesën e parë.

Megjithatë, sulmuesi francez reagoi në mënyrën më të mirë, duke shënuar golin e avantazhit në minutën e 60-të, ndërsa Ousmane Dembele vulosi fitoren gjashtë minuta më vonë.

Pas ndeshjes, trajneri Didier Deschamps sqaroi arsyen e zëvendësimit të kapitenit të Francës.

“Kylian pati pak probleme me kyçin e këmbës dhe ndjeu dhimbje. Edhe Manu Koné mori një goditje në gju dhe kishte shqetësime në bark. Warren Zaïre-Emery hyri dhe luajti shumë mirë. Të gjithë duhet të jenë gati, sepse secili është i rëndësishëm për ekipin”, deklaroi tekniku francez.

Ndërsa vetë kapiteni i Francës zbuloi se bëhet fjalë vetëm për një shqetësim të vogël në kyçin e këmbës dhe se nuk ka asgjë serioze.

“Kam një dëmtim të vogël në kyçin e këmbës, por jam plotësisht mirë”, deklaroi Mbappe.

Deschamps u shpreh i lumtur që Franca ka arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për herë të tretë radhazi, duke e cilësuar këtë një arritje të jashtëzakonshme.

Trajneri vlerësoi edhe reagimin e Mbappes pas penalltisë së humbur, duke theksuar se sulmuesi tregoi karakter dhe u rikthye duke gjetur rrugën e rrjetës.

Tashmë Franca pret të mësojë kundërshtarin e saj në gjysmëfinale, që do të dalë nga përballja mes Spanjës dhe Belgjikës, ndërsa stafi teknik shpreson që problemi në kyçin e këmbës i Mbappes të mos jetë serioz dhe ai të jetë gati për sfidën e radhës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close