
Ligjvënësi Jamie Raskin po kërkon dokumente për një projekt zhvillimor që ka shkaktuar protesta dhe akuza për falsifikimin e një akti pronësie
Demokratët e Komisionit për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve po e zgjerojnë hetimin e tyre ndaj Jared Kushnerit, dhëndrit dhe të dërguarit për paqe të presidentit Donald Trump, për të shqyrtuar një resort luksoz që ai dëshiron ta ndërtojë në bregdetin e Shqipërisë – një projekt që ka shkaktuar protesta disajavore dhe akuza se toka mbi të cilën do të ndërtohet, është përvetësuar përmes një akti pronësie të falsifikuar.
Në një letër të siguruar fillimisht nga MS NOW, ligjvënësi Jamie Raskin nga Marylandi, demokrati më i lartë në Komisionin për Gjyqësorin të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ka pyetje të reja lidhur me “praktikat e dyshimta të pasurive të paluajtshme” të Kushnerit dhe kërkon që ai t’i dorëzojë dokumentet që lidhen me “miratimin ose shqyrtimin” e projekteve të tij në Shqipëri, përfshirë çdo komunikim me qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë.
Raskin tha se demokratët duan të përcaktojnë nëse “sjellja e Kushnerit duhet të hetohet sipas Aktit për Praktikat Korruptive Jashtë Vendit” – dhe nëse ky ligj duhet të përditësohet.
Sipas një përmbledhjeje të Departamentit të Tregtisë, ky ligj e konsideron “të paligjshme që një person apo kompani amerikane t’i ofrojë, paguajë ose premtojë para apo çfarëdo gjëje tjetër me vlerë një zyrtari të huaj, me qëllim të përfitimit ose mbajtjes së një biznesi”.
Letra e përshkallëzon një hetim që Raskin e hapi në prill lidhur me atë që demokratët e quajtën “konflikt flagrant dhe të pazgjidhshëm interesi” të Kushnerit: shërbimin njëkohësisht si i dërguar i Shtëpisë së Bardhë për paqe dhe si drejtues i një firme private investimesh, të mbështetur pjesërisht nga fondet sovrane të pasurisë të vendeve të Gjirit. Edhe për këtë hetim raportoi fillimisht MS NOW.
“Ndërsa vepronit si kryenegociatori i vendit tonë për t’u dhënë fund disa konflikteve ndërkombëtare, të krijuara ose të përkeqësuara nga administrata e vjehrrit tuaj, ju gjetët kohë për të nisur krejtësisht vetë edhe një tjetër incident ndërkombëtar të lidhur me mashtrimin”, shkroi Raskin në letrën e re për përpjekjet e Kushnerit në Shqipëri.
Përfaqësuesit e Kushnerit në firmën e tij të investimeve nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, e quajti kërkesën e Raskinit pjesë të “të njëjtit rrëfim të vjetër dhe të konsumuar, të cilin demokratët e kanë shtyrë kundër presidentit Trump, familjes dhe administratës së tij për një dekadë”.
“Aktivitetet personale të biznesit të Jared Kushnerit nuk kanë asnjë lidhje me angazhimet e tij diplomatike, të cilat ai i kryen vullnetarisht me kërkesë të presidentit”, vazhdoi Kelly, duke vlerësuar atë që ajo e përshkroi si “historikun e sukseseve” të Kushnerit në Marrëveshjet e Abrahamit dhe në nisma të tjera.
Kushneri njoftoi në vitin 2024 planet për zhvillimin e një resorti në bregdetin e Shqipërisë, si pjesë e një investimi nga firma e tij, Affinity Partners. Por projekti ka shkaktuar protesta gjatë muajve të fundit, përfshirë edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, të nxitura nga zemërimi për rojet e sigurisë në vendin e projektit, të cilat, sipas raportimeve, kanë ushtruar dhunë, si dhe nga shqetësimet për ndikimin e mundshëm mbi botën e egër, përfshirë flamingot, fokat dhe breshkat e detit. Projekti shkaktoi edhe më shumë polemika në korrik, kur u shfaqën raportime se një biznesmen – i kërkuar në Shqipëri për pastrim parash dhe për rolin e tij të dyshuar në një operacion ndërkombëtar të kontrabandës së drogës, kishte falsifikuar aktin e pronësisë së tokës së resortit. Biznesmeni i mohoi shkeljet.
“The Wall Street Journal” raportoi se banorët e fshatit ishin përpjekur ta paralajmëronin Kushnerin se toka ishte e vjedhur. Një zëdhënës i grupit zhvillues të mbështetur nga Kushneri i tha gazetës se sistemi ligjor shqiptar është “vendi i duhur për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me pronësinë e tokës”, por këmbënguli se “blerjet fillestare të tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme”.
Në letrën drejtuar Kushnerit, Raskin shkroi se i gjithë “episodi pasqyron si mendjelehtësinë tuaj thelbësore si një ish-përfaqësues i Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe oreksin mbizotërues dhe në dukje të pangopur të familjes Trump-Kushner për korrupsion politik dhe financiar”. Ai shtoi: “Qeveria e kryeministrit shqiptar Edi Rama, e cila prej kohësh është përpjekur të ndikojë në politikën amerikane, ju dha miratimin, por kryeministri nuk arriti ta fitonte miratimin e elektoratit të vet për projektin tuaj të ëndrrave”.
Kushneri, i cili është i martuar me vajzën e madhe të Trumpit, Ivankën, e themeloi firmën e investimeve “Affinity Partners” në vitin 2021, pasi shërbeu si këshilltar i lartë gjatë administratës së parë të Trumpit. Investitori më i madh dhe më i hershëm i Affinityt, sipas “The New York Times”, është Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite, i drejtuar nga princi i kurorës Mohammed bin Salman, i cili investoi rreth dy miliardë dollarë. Kanë investuar gjithashtu edhe fonde sovrane të pasurisë të lidhura me Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Që kur Trumpi u rikthye në Zyrën Ovale vitin e kaluar, Kushneri ka punuar si i dërguar i Shteteve të Bashkuara për paqe, duke marrë pjesë në bisedime për përfundimin e konflikteve jashtë vendit, përfshirë ato me Iranin.
Në letrën e tij të re, Raskin theksoi se Kushneri nuk i ishte përgjigjur kërkesës fillestare të komisionit, me të cilën kërkoheshin komunikimet e tij me zyrtarë sauditë, emiratas, katarianë ose izraelitë, së bashku me të dhënat financiare që paraqesin në hollësi investitorët e Affinityt.
“Për t’jua dhënë përfitimin e dyshimit”, shkroi Raskin, “supozoj se mund të keni qenë tepër i shpërqendruar dhe i angazhuar me përpjekjet tuaja të përsëritura dhe të dështuara për të negociuar një armëpushim të qëndrueshëm në Iran, Liban ose Ukrainë, saqë nuk keni mundur të përgjigjeni”.
Ekipi i Kushnerit i ka kundërshtuar akuzat për shkelje. Në prill, zyrtari kryesor ligjor i Affinityt i tha MS NOW se Kushneri ka vepruar “në përputhje me të gjitha ligjet dhe kërkesat e zbatueshme dhe gjithmonë në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara”. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha në atë kohë se Kushneri kishte “sakrifikuar kohën me familjen dhe mjetet e tij të jetesës” për të punuar në nismat e administratës.
Si anëtarë të pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët nuk kanë kompetencë për të lëshuar fletëthirrje detyruese dhe kanë mundësi të kufizuara për ta detyruar Kushnerin të bashkëpunojë. Kjo do të ndryshonte nëse ata e fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në nëntor. Demokratët tashmë e kanë bërë të qartë se kanë një listë të gjerë objektivash hetimore, nëse e rimarrin kontrollin e njërës ose të të dyja dhomave të Kongresit – përfshirë edhe Kushnerin.
(Përktheu dhe përgatiti www.koha.mk)



