BotaLajme

Çfarë pritet nga raundi i dytë të bisedimeve në Stamboll mes Ukrainës dhe Rusisë

Moska i ka propozuar Ukrainës një raund të dytë bisedimesh për paqe që do të mbahet të hënën e ardhshme në Stamboll, mes një vale të re të sulmeve ajrore dhe intensifikimit të presionit diplomatik nga Shtetet e Bashkuara. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, konfirmoi se Rusia ka paraqitur “propozime specifike” për raundin e ardhshëm të negociatave, të cilat i ka ndarë me Uashingtonin, por jo me Kievin.

Propozimi vjen në një kohë kur Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës, duke lëshuar qindra dronë dhe raketa. Lavrov nënvizoi se Rusia është e gatshme të paraqesë “memorandumin e saj të paqes” gjatë takimit të ardhshëm në Turqi më 2 qershor, duke theksuar se diplomacia duhet të jetë thelbësore për zgjidhjen e konfliktit.

Ministria e Jashtme ruse deklaroi se Lavrov ka informuar Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më 19 maj mes presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump. Megjithatë, përmbajtja e plotë e këtyre marrëveshjeve dhe e propozimeve të Moskës nuk është bërë publike

Pas raundit të parë të bisedimeve më 16 maj, Ukraina dorëzoi një dokument me kushtet e saj për paqe dhe kërkoi që edhe pala ruse të vepronte njësoj përpara bisedimeve të mëtejshme. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, theksoi se ende nuk kanë marrë asgjë nga Rusia, por se janë të gatshëm për dialog nëse dokumentet dorëzohen për shqyrtim.

Ndërkohë, Rusia këmbëngul se do ta paraqesë memorandumin vetëm gjatë takimit në Stamboll. Lavrov bëri të ditur se dokumenti përcakton qëndrimin rus për “shkaqet rrënjësore të krizës”, duke përfshirë kërkesa të njohura më parë si tërheqja e Ukrainës nga territoret e pushtuara, ndalimi i zgjerimit të NATO-s, heqja e sanksioneve dhe “mbrojtja e rusishtfolësve”.

Këto kushte konsiderohen maksimaliste nga Kievi dhe Perëndimi, ndërkohë që Rusia nuk ka treguar gatishmëri për lëshime. Kremlini gjithashtu nuk ka konfirmuar nëse presidenti Putin do të takohet drejtpërdrejt me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Presidenti Zelenskyy deklaroi se është i gatshëm për një takim trepalësh me Trump dhe Putin, ndërsa si vende të mundshme për negociatat përmenden Turqia, Zvicra dhe Vatikani. Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin mbi Moskën dhe i ka vendosur një afat të pashkruar Putinit për të bërë përparim në drejtim të një armëpushimi.

Negociatat pritet të vazhdojnë javën e ardhshme në të njëjtin format si më parë, me delegacionet e udhëhequra nga Rustem Umerov për Ukrainën dhe Vladimir Medinsky për Rusinë. Vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te ky raund i dytë, ndërsa lufta në terren vijon me intensitet të lartë dhe pa sinjale të menjëhershme për një marrëveshje paqeje.

Related Articles

Back to top button
Close
Close