
Policia greke, ka përfunduar një operacion në shkallë të gjerë të quajtur “Kerveros”, gjatë të cilit u arrestuan 23 persona të përfshirë në një rrjet trafikimi qeniesh njerëzore, ndërsa u sekuestruan 3.700 pasaporta të falsifikuara.
Janë identifikuar të paktën katër laboratorë që prodhojnë pasaporta të falsifikuara, kryesisht shqiptare dhe greke.
Hetimi, i cili është ende në vazhdim, ka çuar në sekuestrimin e 3.700 pasaportave dhe kartave të identitetit të falsifikuara nga vende të ndryshme, si dhe afërsisht 50.000 euro cash.
Mësohet se në pranga ka rënë edhe kreu i grupit. Ai kishte ngritur një laborator të pajisur plotësisht brenda një apartamenti, në zonën e banesave të punëtorëve të Peristerit në Athinë.
Sipas informacionit, rrjeti ishte i përfshirë në më shumë se 500 raste të trafikut të paligjshëm të klandestinëve, duke fituar një total prej të paktën 4 milionë euro.



