LajmeMaqedoniTopLajm

Bytyqi: Bisedojmë për dy investime të reja prej 300 milionë euro

Vetëm gjatë kësaj jave, në dy ditët e kaluara, kam pasur takime me dy kompani që planifikojnë investime prej rreth 300 milionë euro, paralajmëroi sot zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

“Që nga e hëna, kam takime për investim prej 300 milionë euro, përkatësisht për dy, njëra bazohet në investime strategjike, ndërsa tjetra bazohet në investime të huaja. Njëra është një kompleks i gjërave të ndryshme që lidhen, të dy kanë të bëjnë me industrinë metalurgjike, produkte përfundimtare në ndërtimtari. Njëra është e huaj, tjetra është investim i brendshëm, por ne po flasim për një shumë prej 300 milionë euro”, zbuloi Bytyqi, në emisionin “Brifingu i mëngjesit” në TV Slobodna, duke folur për interesin e kompanive të huaja për të investuar në vend.

Kam pasur mysafirë, shtoi, një investitor të huaj dhe kur kemi biseduar për shumën e pagave, ata thanë se do të punësojnë  60 persona, por me pagë 30 për qind më të lartë se mesatarja.

“Ne kemi nevojë për investitorë të tillë, të cilët do të bashkohen me politikën e qeverisë për paga më të larta dhe mbrojtjen e çdo vendi pune”, tha Bytyqi.

I pyetur nëse indeksi i korrupsionit ndikon në interesin e kompanive të huaja për të investuar në vendin tonë dhe për kritikat nga opozita se disa investitorë të huaj i kanë ndërprerë marrëveshjet për ndihmë shtetërore, zëvendëskryeministri Bytyqi shpjegoi se bëhet fjalë për trajtim të drejtë dhe të barabartë ndaj detyrimeve të rëna dakord nga të palët.

“Ata investitorë të huaj që nuk i kanë përmbushur detyrimet nga marrëveshjet e nënshkruara, ne nuk mund t’i lusim të qëndrojnë në vend, por kemi vepruar në përputhje me detyrimet kontraktuale dhe kemi vendosur t’i ndërpresim marrëveshjet për ndihmë shtetërore. Marrëveshjet nuk u ndërprenë me kërkesë të kompanive, por me iniciativë të Qeverisë, të Kabinetit tim dhe kjo u bë ekskluzivisht sepse ato kompani nuk i përmbushën detyrimet kontraktuale nga ana e tyre. Disa nga ato kompani, të cilat në periudhën e dhënë prej dy vjetësh, nuk arritën ta realizojnë investimin, me siguri do të kthehen dhe do të kërkojnë marrëveshje të reja, por ka edhe kompani të tjera të reja me të cilat ne po diskutojmë për realizimin e investimeve në vendin tonë”, shpjegoi Bytyqi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close