
Ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Gostivar, ku mijëra qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas problemeve shëndetësore të raportuara ditët e fundit.
Osmani shprehet se me shqetësim po e ndjek situatën, duke theksuar se shumë familje po përballen me pasiguri dhe frikë për shëndetin e tyre.
“Me shumë shqetësim po e ndjek atë që po ndodh në Gostivar. Mijëra qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe shumë familje po kalojnë ditë të vështira, me pasiguri dhe frikë për shëndetin e tyre.
Uroj shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit dhe shpreh respekt për mjekët dhe personelin shëndetësor që po përballen me këtë situatë të rëndë.
Besoj se qytetarët meritojnë sa më shpejt informacion të qartë për shkakun e infeksionit dhe për sigurinë e ujit. Deri atëherë, Gostivari ka nevojë para së gjithash për kujdes, solidaritet dhe përgjegjësi”, ka shkruar Osmani.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka bërë thirrje për informim të qartë dhe të shpejtë të qytetarëve lidhur me shkaqet e situatës dhe sigurinë e ujit, ndërsa ka shprehur solidaritet me qytetarët e prekur dhe personelin shëndetësor që po përballet me fluksin e pacientëve.



