Brezi që nuk telefonon më! Pse interneti është bërë baza e jetës sonë

Para pak ditësh, dikush më dërgoi në WhatsApp një video reels nga një program televiziv ku po diskutohej qasja e gjeneratës Z ndaj tregut të punës. Biseda vazhdoi edhe në zyrën tonë, ku pothuajse të gjithë janë pjesë e këtij brezi. Siç mund ta merrni me mend, reagimi ishte i menjëhershëm. Ata ndiheshin të lodhur nga mënyra se si ky brez shpesh etiketohet si “dembel”, “i paduruar”, apo “i vështirë për t’u menaxhuar”.
Shiko edhe: Punëdhënësi mesatar shqiptar dhe mitologjia e “gjeneratës që nuk punon”!
Unë mbeta pak në mes. Jo sepse nuk e kuptoja indinjatën e tyre, por sepse besoj se kur flasim për brezat, shpesh i thjeshtojmë gjërat më shumë seç duhet. Çdo brez formohet nga koha ku rritet, nga mjetet që përdor, nga mënyra si komunikon, si informohet, si argëtohet dhe si e sheh botën. Dhe sot kjo botë nuk vjen më nga ekrani i televizorit në sallon, ku dikur mblidhej familja në darkë. Sot vizualizohet nga një ekran në dorë, në kohë reale, pa kufij, pa orar dhe me një pafundësi zgjedhjesh.
Pikërisht këtu fillon tema ime. Jo tek gjenerata Z si problem, por tek fakti që ndryshimi i brezave na tregon më qartë se si po ndryshon mënyra jonë e jetesës. Dhe kur ndryshon mënyra si jetojmë, ndryshon edhe gjithçka përreth saj.
Një nga shembujt më të dukshëm është telekomunikacioni.
Dikur telefoni ishte telefon. A ju kujtohet telefoni fiks?
Po, telefon. Jo smartphone, jo aplikacion, jo ekran ku sheh video, punon, paguan, komunikon, argëtohesh dhe ndjek lajmet. Ishte thjesht mjeti me të cilin flisje me dikë. Madje shumë prej nesh e mbajnë mend ende telefonin me tel, atë me disk, ku rrotulloje numrat me gisht dhe prisje të ktheheshin mbrapsht. Përvoja e përdoruesit ishte tjetër gjë. Mua, për shembull, ajo ndjesi më dukej fantastike.
Pastaj erdhi celulari. Pastaj SMS. Pastaj interneti në telefon. Pastaj smartphone. Dhe pa e kuptuar, pajisja që dikur përdorej për të telefonuar u kthye në një kompjuter të vogël në dorën tonë. Sot telefoni është televizor, zyrë, bankë, hartë, aparat fotografik, gazetë, bibliotekë, dyqan dhe mjet pune.
Telefonata, që dikur ishte arsyeja kryesore pse e mbanim telefonin, për shumë njerëz sot është funksioni më pak i përdorur.
Këtu dallohet shumë qartë diferenca mes brezave. Brezat që e njohën telefonin si mjet komunikimi vazhduan ta përdorin edhe smartphone-in kryesisht si telefon. Ndërsa brezat e rinj e panë ndryshe që në fillim. Për ta komunikimi nuk është domosdoshmërisht telefonatë. Është tekst, voice note, emoji, meme, DM, grup në WhatsApp, video e shkurtër. Unë shpesh vuaj ende të komunikoj me ikona apo emoji, ndërsa për fëmijët dhe të rinjtë kjo është gjuhë e përditshme.
Po ndryshon edhe fjalori. Dikur thoshim “telefonoj”. Sot themi “bëjmë një call”. Dikur kërkonim në Google. Sot gjithnjë e më shumë dëgjojmë “pyet Chat-in”. Kjo nuk është thjesht lojë fjalësh. Është shenjë se teknologjia nuk është më vetëm mjet. Është pjesë e mënyrës si mendojmë, veprojmë dhe ndërveprojmë.
Dhe nëse fjala kyce ishte komunikimi, sot ështe konsumi i permbajtjes.
Për shumë vite, kompanitë e telekomit u ndërtuan rreth telefonatave, SMS-ve dhe mbulimit të rrjetit për komunikim bazik. Por sot përdoruesi nuk kërkon më vetëm të flasë. Ai kërkon të jetë online. Kërkon të shohë video, të përdorë rrjete sociale, të punojë nga telefoni, të komunikojë me aplikacione, të udhëtojë dhe të mos e humbasë lidhjen me botën e tij digjitale.
Në këtë kuptim, ashtu si gjithë bota, Shqipëria nuk është më një treg “telefonatash dhe SMS”. Është një treg i konsumit të internetit, i videos, i rrjeteve sociale dhe i një sjelljeje digjitale që kërkon lidhje të vazhdueshme. Interneti nuk shihet më si shtesë e paketës. Shihet si baza e përvojës. Nëse ka internet, njeriu gjen mënyrë të komunikojë, të punojë, të argëtohet dhe të zgjidhë gjëra. Nëse nuk ka internet, i duket sikur i është ndërprerë një pjesë e ditës.
Prandaj edhe pritshmëritë kanë ndryshuar. Njerëzit nuk duan më të mendojnë sa MB u kanë mbetur, kur duhet të bëjnë top-up, apo sa herë duhet të kontrollojnë balancën. Ata kërkojnë qetësi. Kërkojnë lidhje të qëndrueshme. Kërkojnë internet që funksionon gjithmonë. Dhe kjo vlen edhe jashtë vendit. Shqiptarët udhëtojnë më shumë, punojnë më shumë me jashtë, marrin pjesë në evente, studiojnë, bëjnë biznes dhe kanë familjarë kudo. Natyrshëm, presin që telefoni të funksionojë njësoj edhe jashtë kufijve.
Shiko edhe: Startup Grind Tirana në një fireside chat me investitorin Shefqet Avdullau
Kjo është sfida e re e telekomit. Jo thjesht të ofrojë minuta, SMS apo paketa. Por të kuptojë si jeton sot konsumatori. Sepse pyetja nuk është më vetëm: “Kush ka ofertën më të lirë?” Sigurisht, çmimi ka rëndësi. Në Shqipëri do të ketë gjithmonë rëndësi. Por pyetja më e madhe është: “Kush po përshtatet më mirë me mënyrën si njerëzit jetojnë sot digjitalisht?”
Dhe kjo do të bëhet edhe më e rëndësishme me AI. Agjentët virtualë, asistentët digjitalë, pajisjet e reja dhe mënyrat e reja të ndërveprimit do të kërkojnë edhe më shumë lidhje, më shumë të dhëna dhe më shumë stabilitet. Interneti do të jetë infrastruktura mbi të cilën do të ndodhë gjithçka.
Prandaj, kur flasim për telekomin, nuk po flasim më vetëm për një industri. Po flasim për një shtresë bazë të jetës moderne. Njësoj si energjia, uji apo rrugët, lidhja digjitale po bëhet pjesë e infrastrukturës pa të cilën dita nuk funksionon normalisht.
Në fund, brezat e rinj shpesh na bezdisin jo sepse janë gabim, por sepse na tregojnë më shpejt nga po shkon bota. Detyra jonë nuk është t’i gjykojmë shpejt, por t’i kuptojmë më mirë. Sepse aty ku ndryshon sjellja e brezave, ndryshon edhe tregu.
Dhe në një kohë ku gjithçka ndryshon shpejt, nuk fiton më ai që ka qenë më gjatë në treg. Fiton ai që përshtatet më mirë me mënyrën si njerëzit jetojnë sot.



