LajmeRajon

Borrell shpreson për një takim Kurti-Vuçiq para verës

Pas darkës joformale që shtroi për ministrat e jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mbajtur konferencë për media.

Borrell tha se gjatë takimit është biseduar edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se palët duhet të krijojnë besim dhe të lëvizin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Sigurisht që kemi biseduar për dialogun Prishtinë-Beograd dhe ministrat shprehën respektimin e plotë për zbatimin e marrëveshjeve paraprake, gjë që nuk po ndodh, dhe për vazhdimin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv, përparim të shpejt të normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy palët pajtohen për këto, por kur ulen së bashku është e vështirë të bëhet përparim”, tha ai.

Borrell shtoi se shpreson që një takim i radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbahet para verës.

“Ne duhet të krijojmë besim, është thelbësore që të përmirësohet atmosfera në dialog. Angazhimi në veprime pozitive për të krijuar besim dhe për të shmangur hapat e njëanshëm dhe shpresoj që para verës ne do të jemi në gjendje të mbajmë një takim të ri në nivelin e lartë politik me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, por puna për këtë është ende duke vazhduar”, theksoi shefi i diplomacisë së BE-së.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje dy vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.

Ndërkaq, duke folur për liberalizimin e vizave për Kosovën, Borrell tha se ai mbështet një gjë të tillë.

“Ka pasur po ashtu shumë thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Komisioni disa herë i ka prezantuar Këshillit propozime dhe mendime, përmes së cilave është argumentuar se Kosova përmbush të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ne vazhdojmë të mbështesim liberalizimin e vizave me Kosovën”, tha Borrell.

Related Articles

Back to top button
Close
Close