
Mesnatën e djeshme protesta, e cila vazhdon prej 15 ditësh, mori një tjetër drejtim. Pasi qëndruan për afro tri orë në shesh dhe u mbajtën fjalimet e zakonshme në shesh nga qytetarë të ndryshëm, nisi marshimi në rrugët e qytetit.
Ndryshe nga një ditë më parë që kishin zgjedhur të marshonin në anën lindore të Tiranës, protestuesit këtë herë u orientuan drejt autostradës Tiranë-Durrës.
Për minuta të tëra ata bllokuan komplet qarkullimin në këtë nyje, që është një ndër më të rëndësishmet në vend, duke ndikuar edhe në lidhje me fluturimet e udhëtarëve, pasi kjo rrugë të lidh edhe me aeroportin e Rinasit.
Një pjesë e protestuesve ishin të vendosur që në këmbë duke marshuar të shkonin deri në aeroportin e Rinasit, por pas përballjes me policinë, ata zgjodhën të mos përplasen fizikisht dhe u shpërndanë.
Ky marshim i djeshëm i pazakontë ka krijuar edhe një lloj debati mes organizatorëve, që janë ndarë në dy “fronte mendimi”. Në rrjetet sociale janë publikuar video të personave që janë kundër marshimeve të tilla për arsye se për shumë protestues është e pamundur fizikisht.
Gjithashtu, ky lloj grupimi e koncepton protestën si një grumbullim njerëzish në mënyrë paqësore dhe e sheh këtë si të vetmen mundësi për të mbledhur sa më shumë njerëz në shesh.
Nga ana tjetër, grupi i djeshëm që mbërriti deri në Rinas mendojnë se protestat duhet të kalojnë në një tjetër dimension dhe dhuna apo bllokimet e tilla janë një version i kësaj.



