OpinionTopLajm

Bllofisti

Bllofisti kupton prirjen e turmës për të besuar më shumë tek fantazitë sesa tek logjika e ftohtë dhe hidhet në arenë. Vesh gëzofin e babaxhanit. Uturin si lokomotivë për të tërhequr vëmendjen mbi veten. Vrapon sa andej- këndej. Shfryn. Jep urdhra. Nxjerr nga xhepat e fryrë blloqe shënimesh dhe mbush faqet njëra pas tjetrës me llogari.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Njerëzit shpërfaqin karaktere nga më të ndryshmit. Nëse do t’i qëndronim besnik fjalës së popullit se ka nëntëdhjetë e nëntë lloj rrojtjesh, atëherë kemi po aq karaktere që ndeshen anekënd. Rrethanat e jetës shpesh lënë gjurmë të patjetërsueshme mbi karakterin e njeriut. Në mes gjithë kësaj shumësie gjendet bllofisti, arrivist i pandreqshëm.

Përballë etjes së frikshme për të shumëfishuar zerot pas njëshit në llogari, bllofisti kryen sjellje të cilat nxjerrin në pah rafinerinë e mashtrimit, prej së cilës dalin vazhdimisht qëndrime që përpunojnë mendjet e masës së njerëzve. Qëllimi përfundimtar është interesi vetjak. Turma duhet ta hajë sapunin për djathë dhe për këtë ai sajon një zinxhir ngjarjesh të paqena. Mekanizmat e rafinerisë së mashtrimit grasatohen me sjellje të çuditshme që ngjallin si fillim tek turma habi, kureshtje që djeg shpirtin dhe nuk lë të qetë arsyen. Më pas vjen faza ku turma nis e beson si të vërteta të pamohueshme fjalët e bllofistit. Veprimet e tij i quan veprime të një njeriu me mend, se ndryshe ç’kuptim do të kishin sakrificat e shumëfishta të këtij “personaliteti gjenial”.

Bllofisti kupton prirjen e turmës për të besuar më shumë tek fantazitë sesa tek logjika e ftohtë dhe hidhet në arenë. Vesh gëzofin e babaxhanit. Uturin si lokomotivë për të tërhequr vëmendjen mbi veten. Vrapon sa andej- këndej. Shfryn. Jep urdhra. Nxjerr nga xhepat e fryrë blloqe shënimesh dhe mbush faqet njëra pas tjetrës me llogari. Shifrat duket sikur ngatërrohen me njëra-tjetrën, por ai është i qartë në veprimet e tij. Turma duhet të ndjejë zjarrin e kureshtjes tek merr hov në hamendësimet më të pabesueshme ndaj një individi që sapo e ka njohur dhe ende nuk e di mirë cili është.

Hamendësimet nxiten nga veprimet misterioze të bllofistit. I mveshin punë që ai as i shkon nëpër mend. As ka pasur dhe as ka lidhje me hamendësimet e turmës, por ai as që e vë ujin në zjarr për realitetin. Tashmë është duke krijuar një realitet të ri. Realitetin që jeton në fantazitë e turmës. Realitetin që beson turma dhe merr jetë në sajë të shtypit. Dhe, më shumë sesa shtypit në sajë të thashethemeve që shpërhapen më shpejt se era. Çuditërisht, njerëzit janë të prirë që përballë fakteve të besojnë hamendësimet. Madje ndjejnë kënaqësi teksa fryjnë bulçitë në mbrojte të zellshme të hamendësimeve të tyre. Janë aq të sigurt, saqë dhe po t’u shfaqej vetë ai e t’ua rrëfente të vërtetën, nuk do ta besonin.

Ç’mund të bësh me këtë turmë të fantaksur? Asgjë më shumë sesa të vazhdosh t’i ushqesh me veprime misterioze, të cilat ua kënaqin fantazinë për të sajuar ngjarje ku do të ndihen protagonistë pa qenë aspak të tillë në realitet. Të vazhdosh t’u japësh në dorë fakte anësore dhe detaje të parëndësishme rreth veprimeve misterioze, por që ngrenë peshë vlimin e diskutimeve, brohoritjet për bllofistin dhe gëzimin e turmës për fatin e madh që kanë në mes të saj njeri të një kallëpi të veçantë që di t’i falë kënaqësi. Turma i ngatërron me kënaqësi fijet dhe nxjerr prej saj një rrjetë që veç ajo ia di kuptimin.

Njeriu i arsyes mund edhe të çmeritet, por fuqia e besimit të turmës është sa e verbër, aq edhe kokëfortë. Nuk mund t’ia çrrënjosësh besimin se bllofisti, që nuk e njohin aspak për të tillë, ka qëllime jofisnike. Përkundrazi, turma pret me durim e kërshëri lëvizjen e tij të radhës. Ai e vërtit turmën si pingpong. Nga xhepat e tyre duhet të dalin sa më shumë para për ngjarjet që pritet të vijnë. Turma mban radhë për të prerë biletat e shfaqjeve të mëdha që pritet të jepen. Lajmi në shtyp ka marrë dhenë për këto shfaqje dhe turma, që të mos e humbasë shansin e madh për të parë të shpalosur aftësitë regjizuriale të bllofistit, nuk kursehet aspak. Ai i fërkon duart dhe zhyt në thesin e pangopësisë paratë e dala nga duart e njerëzve. Paskëndaj duhet të lindin lajme të reja që të jehojnë zërat e ngjarjeve të vogla të cilat sjellin ndryshime të mëdha.

Skema e trushkyerjes punon mrekullisht. Turma nuk ndihet aspak e vjedhur apo e grabitur. Ajo vazhdon të besojë se ngjarjet që priten të ndodhin do të jenë të duhurat dhe mezi pret të dyndet në sallat ku do të shfaqë kalibrin e talentit bllofisti dora vetë. Pasi ka përmbushur qëllimin e tij fillestar, famën dhe paratë, bllofisti nuk e ka për gjë të dalë para turmës dhe t’i rrëfejë të vërtetën mbi faktin që shfaqje nuk do të ketë, sepse dikush e ka dëmtuar skenën. Ka grisur perdet. Ka shqyer reklamat. Prandaj duhet gjetur ky keqbërës dhe duhet ndëshkuar.

Bllofisti tregon të vërtetën. Një kafshë e egër që hyri në skenë një natë më parë përmbysi gjithë përgatitjet. Ai asgjësoi kafshën, u shpall hero nga turma dhe paratë përfunduan në xhepin e tij. Turma i ngazëllehet heroizmave dhe shpërndahet e qetë së bashku me rrëfimet mbi kafshën e rrallë keqbërëse dhe trimërinë e bllofistit. Ai, ndërkohë, bën hesap se si do të shpenzojë paratë e fituara me një mijë e një hile dhe çfarë hilesh të reja do të duhet të hedhë në lojë për të bindur turmën të shpenzojë për shfaqjet e tij.

Manipulatorë të kësaj natyre janë rrezik i përhershëm, veçanërisht nëse synojnë pushtetin që drejton e qeveris shoqërinë. Rafineria e mashtrimit duhet refuzuar, kritikuar dhe tkurrur sa më shumë të jetë e mundur. Ngushtimi i rrezes së veprimit të këtij soji është shërbim i vyer ndaj shoqërisë, paçka se mund të mos marrë vëmendjen dhe vlerësimin e duhur. Tek e fundit, mbjellja e farave të mirësisë është detyrë themelore, edhe pse mund të mos i shijojmë frutat e saj, pasi çdo gjë vjen në kohën kur duhet dhe jo kur na duhet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close