BotaLajme

Blinken në Poloni: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në Poloni se do të mbrohet çdo centimetër territorit i NATO-s ndërsa forcat ruse prej ditësh po kryejnë sulme në Ukrainë. Ndërkohë ministri i Jashtëm polak tha se vendi i tij nuk do të pranojë asnjë ndryshim territorial të shkaktuar nga “agresioni i paprovokuar dhe i paligjshëm i Rusisë”.

Sekretari Blinken u takua me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Polonisë në qytetin polak të Rzeszoë, pranë kufirit ukrainas ku qindra mijëra njerëz kanë kaluar që kur Rusia nisi sulmet.

Blinken vlerësoi Poloninë për reagimin e saj ndaj veprimeve të Rusisë si dhe për pritjen e refugjatëve nga Ukraina.

“Si aleatë të NATO-s, bashkëpunimi i mbrojtjes midis Polonisë dhe Shteteve të Bashkuara mendoj se është në pikën më të lartë. Që nga 30 janari, Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar numrin e personelit ushtarak të dislokuar në Poloni. Po ashtu ne rritëm ndjeshëm sasinë dhe llojet e pajisjeve ushtarake që kemi pozicionuar në Poloni. Siç ka thënë Presidenti Biden, ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, theksoi Sekretari amerikan i Shtetit.

Sipas tij, për të ndihmuar krizën humanitare për refugjatët ukrainas që po zhvendosen në Poloni apo vende të tjera, administrata Biden i kërkoi Kongresit një fond prej 2.75 miliardë dollarë.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Polonisë, tha se vendi i tij do të vazhdojë të mirëpresë refugjatët pavarësisht nga kombësia, raca dhe feja.

Ai tha gjithashtu se Polonia nuk do të pranojë asnjë ndryshim territorial të shkaktuar nga “agresioni i paprovokuar dhe i paligjshëm i Rusisë”.

Ditët e fundit në Poloni, një vend anëtar i NATO-s, kanë mbërritur nga Shtetet e Bashkuara avionë ushtarakë dhe pajisje të tjera luftarake. Po ashtu SHBA ka zhvendosur në Poloni rreth 10 mijë trupa

Related Articles

Back to top button
Close
Close