Presidenti i SHBA-së, Joe Biden niset sot për në Japoni për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në Hiroshimë.
Presidenti amerikan, Joe Biden niset të mërkurën në mbrëmje për në Japoni për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të G7-ës që këtë radhë mbahet në qytetin Hiroshima. Megjithatë ai e ka të vendosur të kthehet të dielën në SHBA duke anuluar vizitën e parashikuar për në Papua Guinean e Re dhe Australi për javën e ardhshme.
Arsyeja për këtë është rreziku se Shtetet e Bashkuara mund të mos kenë mundësi të paguajnë detyrimet financiare, pasi ende nuk ka një marrëveshje për tavanin e borxhit mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. Takimi i së martës mes udhëheqësve republikan të Dhomës së Përfaqësuesve dhe presidentit, dështoi.
“Jam i bindur se do të vazhdojmë të bëjmë përparim drejt shmangies së përmbushjes së përgjegjësisë së Amerikës si udhëheqës në skenën botërore. Megjithatë, po e shtyj pjesën e udhëtimit në Australi dhe ndalesën time në Papua Guinenë e Re, që të kthehem për negociatat përfundimtare me udhëheqësit e kongresit. Unë fola sot me kryeministrin e Australisë, Albanese dhe e njoftova se çfarë po ndodhte. Në takimin e fundit kishte një konsensus me udhëheqësit e kongresit se mospagimi i borxhit nuk duhet të ndodhë. Ekonomia jonë do të binte në recesion. Do të shkatërronte llogaritë e pensioneve, do të rriste koston e huamarrjes”, tha presidenti Biden.
Pas bisedës me zotin Biden, kryeministri i Australisë Anthony Albanese njoftoi se takimi i udhëheqësve të Japonisë, SHBA-së dhe Indisë, i cili do të mbahej në Sidni javën e ardhshme, është anuluar.
“Bllokimi dhe përçarja që po ndodh në politikën e brendshme në Shtetet e Bashkuara, me çështjen e tavanit të borxhit, do të thotë se kjo duhet të zgjidhet para 1 qershorit, përndryshe ka pasoja mjaft drastike për ekonominë amerikane, të cilat më pas do të kenë pësoja në ekonominë globale. Kuptohet që presidentit Biden i është dashur të marrë këtë vendim. Ai, megjithatë, tha se mezi priste të vinte për vizitë në një datë të ardhshme si dhe unë do të shkojë në Shtetet e Bashkuara për një vizitë shtetërore më vonë gjatë këtij viti”, tha Antohny Albanese, kryeministër i Australisë.
Presidenti Biden niset për në Hiroshima të mërkurën në mbrëmje për takime me udhëheqës nga vendet kryesore industriale të botës, duke përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian.
Udhëheqësit do të përpiqen të gjejnë një mënyrë për t’iu kundërvënë shfrytëzimit nga Pekini të të ashtuquajtures “trysni ekonomike” apo praktika e kërcënimeve dhe investimeve ekonomike tek shtetet e treta me qëllim nënshtrimin e tyre ndaj vullnetit kinez.
G7-a pritet ta bëjë këtë përmes kontrolleve të eksportit dhe kufizimeve në investimet nga vendet e tyre në Kinë, ndërkohë që përpiqet të ngadalësojë përparimin teknologjik të Kinës dhe të zvogëlojë dominimin e saj në zinxhirin global të furnizimit. /VOA