LajmeMaqedoniTopLajm

Bekim Sali dënon deklaratën e ministres serbe: Gjuhë e papranueshme dhe e rrezikshme

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila ka shprehur mbështetje për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Sali e ka vlerësuar këtë qëndrim si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet evropiane.

Në reagimin e tij, ai thekson se deklarata e Paunoviq nuk mund të trajtohet si një opinion individual, si retorikë politike apo si interpretim i së shkuarës.

Ai nënvizon se Kosova është shtet sovran, demokratik dhe i pavarur, i pranuar nga bota demokratike. Në këtë kuadër, Sali thotë se as deklaratat kërcënuese, as projektet politike dhe as aleancat e vjetra nuk mund të cenojnë lirinë, pavarësinë dhe të drejtën e popullit të Kosovës për të vendosur për të ardhmen e tij.

Duke përmendur Aleksandar Vuçiqin, të cilin e cilëson mik të Ali Ahmetit në projektin “Open Balkan”, Sali deklaron se ai ka ndjekur një qasje politike që është parë si cenim i interesave shtetërore të Kosovës. Ai shton se sot bëhet edhe më e qartë nevoja që Kosova ta mbrojë me vendosmëri sovranitetin e saj dhe të mos lejojë rikthimin e politikave që në të kaluarën kanë prodhuar konflikt, dhunë dhe vuajtje.

Sali vlerëson se deklarata të tilla bien ndesh drejtpërdrejt me vlerat europiane, me respektimin e të drejtave të njeriut dhe me përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon.

Sipas tij, e ardhmja e vendeve të Europës Juglindore duhet të mbështetet te aspirata për integrim në BE, drejtësia, respekti i ndërsjellë dhe barazia mes shteteve sovrane, jo te kërcënimet, mohimet dhe nostalgjia për politika që kanë sjellë luftë dhe shkatërrim.

Related Articles

Back to top button
Close
Close