LajmeMaqedoniTopLajm

Dita vendimtare për Kodin Zgjedhor: Po një njësi zgjedhore dhe listat e hapura, kush i kërkoi?

Sot skadon afati për miratimin e Kodit Zgjedhor, një nga detyrimet kyçe të Agjendës Reformuese të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, partitë politike vazhdojnë të mbeten larg një marrëveshjeje, ndërsa dallimet mes pushtetit dhe opozitës mbeten të pandryshuara.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, u bëri thirrje partive që të arrijnë konsensus, duke theksuar se miratimi i Kodit Zgjedhor është i rëndësishëm jo vetëm për reformat, por edhe për zhbllokimin e fondeve evropiane dhe për përparimin e vendit.

“Shpresoj sinqerisht se ende ka kohë për marrëveshje. Koordinatorët e partive takohen çdo ditë dhe besoj se mund të arrihet konsensus. Bëhet fjalë për 4,2 milionë euro që do të ishin në dobi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi dje Rokas.

Megjithatë, në kampin politik nuk ka lëvizje nga qëndrimet e deritanishme.

Ndërkohë, edhe BDI-ja ka kërkuar ndryshimin e modelit zgjedhor, duke u deklaruar për një njësi zgjedhore me lista të hapura dhe prag zgjedhor prej 5 për qind. Nga kjo parti thonë se ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht gjatë bisedimeve për Kodin Zgjedhor.

Partia Levica u përpoq të organizojë një takim të partive opozitare për harmonizimin e kërkesave që do t’i paraqiteshin pushtetit, por takimi dështoi pasi LSDM refuzoi të marrë pjesë.

Nga LSDM akuzuan se bëhet fjalë për një përpjekje të VMRO-DPMNE-së përmes partive satelite që të krijojë përshtypjen se opozita po bllokon reformën zgjedhore.

Sipas tyre, problemi kryesor është propozimi i pushtetit që diaspora të votojë në mënyrë elektronike ose me postë, pasi, sipas LSDM-së, kjo mund të krijojë hapësirë për manipulime zgjedhore.

Nga ana tjetër, Levica vazhdon të këmbëngulë për një njësi zgjedhore, ndërsa kryetari i LSDM-së deklaron se partia nuk ka problem të votojë çdo ligj, përfshirë edhe Kodin Zgjedhor, për sa kohë që garantohet një proces i drejtë dhe pa manipulime.

Megjithatë, debati për një njësi zgjedhore dhe listat e hapura pothuajse nuk po trajtohet. Diskutimi politik është përqendruar kryesisht te votimi i diasporës, ndërsa çështjet që lidhen me ndryshimin e modelit zgjedhor kanë mbetur në plan të dytë.

Edhe VMRO-DPMNE përgjegjësinë për arritjen e marrëveshjes ia ka lënë opozitës, duke deklaruar se është e gatshme të pranojë kërkesat e saj, me kusht që të mbetet propozimi për mënyrën e votimit të diasporës.

Në heshtje kanë mbetur edhe partitë më të vogla, si ato në koalicion me VMRO-DPMNE-në, ashtu edhe ato jashtë tij. Pikërisht këto parti, të cilat ndër vite kanë organizuar konferenca dhe debate duke kërkuar një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, tani pothuajse nuk e përmendin më këtë temë.

Mbështetësit e këtij modeli vlerësojnë se, nëse përgjegjësia për mosfunksionimin e sistemit politik i atribuohet vetë sistemit zgjedhor, atëherë një njësi zgjedhore dhe listat e hapura do të përbënin një reformë që do të rriste përfaqësimin e qytetarëve dhe do të mundësonte përfshirjen e një spektri më të gjerë të shoqërisë në vendimmarrje, e jo vetëm të strukturave partiake.

Pyetja që mbetet është: kush vazhdon të kërkojë një njësi zgjedhore, lista të hapura, kandidatë të pavarur dhe një zhvillim më demokratik të sistemit zgjedhor?

Related Articles

Back to top button
Close
Close