LajmeMaqedoniTopLajm

Besimi: Prioritet është kthimi më i shpejtë drejt rritjes solide ekonomike, korrigjim i mundshëm i projeksioneve për këtë vit

Kthim sa më i shpejtë në rrugën e cila do të sjellë rritje solide ekonomike, me shkallë prej 4-5 për qind, rroga dinjitoze, krijim të vendeve të punës, ulje të papunësisë. Këto janë disa nga prioritetet e misionit të mandatit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, i cili i prezantoi sot në konferencë për shtyp, duke shtuar se kjo nuk do të jetë e lehtë dhe se gjendja është serioze për shkak të paqartësisë së krizës shëndetësore dhe se është i mundur korrigjim i projeksioneve fillestare për këtë vit për rritjen e ekonomisë.

“Detyrë e jona është edhe sa më shpejtë të kthehemi në rrugën, e cila do të sjellë rritje solide ekonomike, rroga dinjitoze, krijim të vendeve të punës dhe ulje të papunësisë, politikë të parashikueshme tatimore dhe në përgjithësi, të ardhme evropiane këtu, për qytetarët tanë”, tha Besimi duke shtuar se për këtë është obliguar para Parlamentit dhe para vetes personalisht kur ka pranuar të jetë ministër i Financave.

Është i bindur se do të përfundojë me sukses misioni i tij, por vlerëson se nuk do të jetë lehtë.

“Gjendja është mjaft serioze, posaçërisht që është e madhe paqartësia për shkak të krizës shëndetësore. Në gjysmën e parë të vitit ka rënie reale të aktivitetit ekonomik prej 6,4 për qind. Në pajtim me ribalancin, i cili është bërë në maj, të ardhurat janë shkurtuar për 11,5 për qind në raport me buxhetin inicial. Borxhi shtetëror në fund të tremujorit të dytë këtë vit paraqiste 50,7 për qind të BPV-së. Varësisht nga zgjerimi i krizës shëndetësore, është e mundur të ketë korrigjim adekuat të rritjes së projektuar ekonomike në periudhën që vijon, por më me rëndësi është t’i ruajmë segmentet e ndjeshme tek qytetarët dhe ekonomia”, theksoi Besimi.

Theksoi se tashmë me ekipin e ti o punon aktivisht në masa dhe politika që mundësojnë mbështetje të ripërtëritjes së rritjes së qëndrueshme dhe inkluzive, përfitimet nga të cilat do t’i gëzojnë sa më shumë qytetarë.

“Së pari dhe më me rëndësi, deri në fund të mandatit ta kthejmë ekonominë në rritje solide dhe të qëndrueshme prej 4 për qind, që do të krijojë bazë solide për dyfishim të rritjes mesatare afatgjate ekonomike prej 2,6 për qind në 10 vitet e fundit në 4 deri 5 për qind në periudhën në vijim. Pas përfundimit të krizës, të mundësojmë rritje të rrogës mesatare deri në fund të mandatit prej 20 deri 30 për qind, varësisht nga gjatësia dhe ndikimi i epidemisë ndaj ekonomisë botërore dhe vendore, që realisht do të mundësojë edhe rritje të rrogës minimale”, theksoi Besimi.

Potencoi se intensivisht po punohet në pakon e katërt të masave e cila është e kahëzuar drejt rikuperimit ekonomik, përkatësisht përforcim të likuiditetit dhe stabilitetit financiar të ndërmarrjeve, stimulim të konsumit privat dhe nxitje të investimeve në ekonomi.

“Do të punojmë në atë që të përfundojë shpejtë trendi negativ dhe ta zvogëlojmë goditjen ndaj ekonomisë në tremujorin e tretë dhe të katërt, ndërsa në vitin 2021 të kemi edhe rritje pozitive, nën kushtin që të mos ketë përkeqësim të gjendjes epidemiologjike. Konkretisht, këto masa duhet të ndërlidhen me ato të mëparshmet dhe të “injektojnë” likuiditet të ri në ekonomi. Në atë drejtim, po ridizajnohen apo përmirësohen edhe disa nga masat ekzistuese të cilat kanë potencial për mbështetje të mëtutjeshme të rikuperimit ekonomik”, shtoi ministri i Financave.

Sipas tij, pritjet janë se në vitin 2021, me shterje të efekteve të pavolitshme nga pandemia dhe përmirësim të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese, si dhe rritjen e pritur të eksportit në kuadër të veprimtarive tradicionale, pritet jetësim i aktivitetit eksportues. Në afat mesatar, në kushte të stabilizimit të caktuar të rritjes së kërkesës së jashtme dhe rritjes së potencialit eksportues në vend përmes derdhjes së Investimeve të drejtpërdrejta të huaja, eksporti pritet të ketë kontribut solid ndaj rritjes ekonomike.

Besimi theksoi se gjatë krizës do të insistohet që përmes masave, shkalla e papunësisë të rritet në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa pas përfundimit të krizës dhe deri në fund të mandatit të vazhdohet dinamika e uljes së shkallës së papunësisë nga tre pikë procentuale në vit.

Në konferencë për shtyp përmendi se përmes konceptit të SMART – financave (strategjike, të qëndrueshme, të orientuara reformuese dhe financave transparente), përmes qëllimeve dhe detyrave të qarta dhe punës transparente dhe të përgjegjshme mund të arrihen këto qëllime.

“Asnjë mision, asnjë qëllim nuk mund të arrihet pa qasje të menduar mirë dhe strategji për realizim të së njejtës. U obligova se do ta vendosi konceptin e ‘SMART financave’, përkatësisht sistemit të financave publike, që do të bazohet në strategji të qartë dhe do të jetë i qëndrueshëm, përgjegjës, i orientuar drejt reformave dhe transparent. Nga aspekti i filozofisë ekonomike apo ekonomia politike, kjo do të thotë synim drejt modelit më të drejtë të financave publike, shikuar nga aspekti i të ardhurave, shpenzimeve dhe mënyrës së financimit, përkatësisht, thënë në mënyrë popullore, si mbushet arka shtetërore dhe si dhe ku shpenzohen paratë e qytetarëve”, theksoi Besimi.

Sipas tij, buxhetimi tradicional i cili bazohet në nivel afatshkurtë dhe inkremental të financimit, duhet të riorientohet drejt buxhetimit afatgjatë të orientuar drejt rezultateve në realizim të qëllimeve strategjike.

“Duhet të shihet performanca e institucioneve dhe në pajtim me atë duhet të konfirmohet se sa mjete do t’u ndahen institucioneve buxhetore për projekte, në pajtim me atë se çfarë janë rezultatet. Në atë mënyrë do të tejkalohen planifikimet joreale që i kemi me vite, e madje edhe me dekada prapa, ku shpenzimet kapitale janë planifikuar jorealisht lartë, e të cilat më pas realisht dështojnë në realizim. Më tutje, planifikimi nga njëri vit fiskal në tjetrin të orientohet më shumë drejt planifikimit më afatgjatë. Pjesa më e madhe e projekteve strategjike dhe kapitale nuk realizohen gjatë një viti fiskal, por gjatë më shumë viteve. Aftësia për t’u konstatuar dinamika e vërtetë e projektit në afat të mesëm, mund të jetë me rëndësi thelbësore edhe për vetë realizimin e atij projekti”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.

https://www.facebook.com/watch/?v=372016800622876&extid=ij3Cj3AhZnI8IS9l

Related Articles

Back to top button
Close
Close