
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kritikoi sot propozimet e Partisë Socialiste për reformën territoriale, duke i cilësuar ato si vazhdim të reformës së vitit 2014, të cilën e konsideroi të dështuar.
Në një komunikim online me qytetarët, Berisha tha se reduktimi i numrit të bashkive dhe komunave nga 410 në 61 ka sjellë, sipas tij, ndërprerjen e investimeve në Shqipërinë rurale, duke përmendur infrastrukturën, ujësjellësit, kanalizimet dhe mbështetjen për bujqësinë.
“Zhdukja nga harta e qeverive vendore të komunave bëri që në atë që quhet Shqipëri rurale, dhe që ishte rreth 49% e popullatës, të ndërpriten të gjitha investimet. Të ndërpritet çdo investim në infrastrukturë, në rrjetin e kanalizimeve, rrjetin e ujësjellësve, në mbështetjen e fermerëve. Dhe kjo politikë antishqiptare ka pasur pasojat më katastrofale në rrafshin demografik mbi kombin shqiptar që nga viti 1913″, tha Berisha.
Ai u shpreh se,”kurrë ky komb nuk ka humbur në 10 vite, siç ka humbur nga viti 2015 në vitin 2024, vetëm në hapësirën e Shengenit, sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Dhe në qoftë se shtojmë statistikën e atyre që shkuan në Shtetet e Bashkuara, atyre që shkuan në Kanada, Norvegji, Lindjen e Mesme, Afrikë, Australi, vende të tjera, e vërteta është që 47% e shqiptarëve në 10 vite janë larguar nga Shqipëria”, tha Berisha.
Kreu i opozitës deklaroi gjithashtu se rritja e numrit të punëtorëve të huaj në vend lidhet me largimin e shqiptarëve jashtë vendit.
“Këto ditë u shpall se do merreshin mbi 22 mijë punëtorë nga Vietnami. Një statistikë tregon se 23 mijë të punësuar janë të huaj në vend, pa llogaritur ata që s’janë të regjistruar, që janë dhjetëra mijëra”, tha ai.
Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë, duke e cilësuar situatën si një “gjenocid të butë” dhe bëri thirrje për largimin e saj.
“Vetëm në një vit në qarkun e Kukësit, qarkun më të varfër të Evropës, ka ndërprerë ndihmën ekonomike të 20 mijë familjeve. “, deklaroi Berisha.
Ai tha se, “Natyrisht, komunat minoritare, pa diskutim që duhet të respektohen dhe të mbahen. Por pikërisht ajo që thoni ju, në qoftë se ato mbahen, pse të përbuzen dhe përçmohen, pse të injorohen dhe të shumëzohen me zero komunitetet shqiptare, kjo është një akt i mirëfilltë anti-shqiptar”.
Berisha tha se propozimi i PD është për 100 bashki. “Dhe jo vetëm kaq, por lëmë të hapur, sepse konsultimet nuk kanë përfunduar, lëmë të hapur rritjen e numrit të tyre në varësi nga konsultimet me komunitetet.
Unë përshëndes përzemërsisht të gjithë qytetarët dhe komunitetet e bashkive që i ka vënë kryqin Edi Rama për t’i zhdukur.
Por ftoj gjithashtu të gjithë qytetarët e njësive të qeverisjes vendore, që në hartën e Partisë Demokratike është vendosur të rikthehen, që i ka zhdukur në 2014-ën, të ngrenë zërin e tyre, të mos e lejojnë fatin e tyre te një njeri që e ka shndërruar Shqipërinë në narkomafie, dhe veten padrinon e saj”, tha Berisha.
“Të ngrihen, siç u ngritën në Poliçan, në Divjakë, në Patos, në Klos, në Dimal dhe në zona të tjera. Të ngrihen, të qëndrojnë të pamposhtur në këto të drejta të tyre themelore”, përfundoi Berisha.



