
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar një mbledhje këtë të enjte. Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të selisë së PD, Sali Berisha u shpreh se nuk njeh Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar, të cilin e konsideron si të emëruar nga Taulant Balla.
“Opozita nuk mund të përfaqësohet kurrë me të emëruar nga Balla. Këtë praktikë nuk do ta njohë PD kurrë”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë, Berisha ka thënë se ka denoncuar gjatë mbledhjes praktikën e kryeministrit Edi Rama për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Praktikë që ish-kryeministri e konsideron mafioze. Sipas Berishës procesi i zgjedhjes së presidentit është farsë dhe Rama synon që të vendosë në atë post njeriun që do vetë.
“Së dyti, denoncova me forcën më të madhe praktikën mafioze që ndjek Edi Rama për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Praktikë kjo që diskretiton institucionin e Presidencës dhe vetë zgjedhjen e Presidentit. Praktikë kjo që përlyen qartësisht me aspektet e saj mafioze çdo lloj pjesëmarrjeje në një proces në të cilin në kushte normale duhet të merrnin pjesë të gjitha palët. Praktikë kjo që nuk ka asnjë qëllim tjetër veçse të nxjerrë nga zyrat e tij njeriun që do dhe që komandon.
Personalisht denoncoj këtë farsë të shëmtuar të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kur ajo zhvillohet me zarfe sekretë brenda grupit parlamentar, si mund të jetë ajo me opozitën! Në radhë të parë përcaktohen rregullat që duhet të kenë ligjin e parë, transparencën. Më thoni kush u propozua nga anëtarët e grupit parlamentar? Dini ju? Ai që propozoi Edi Rama u propozua. Prandaj u bë sekret. Thirret shoqëria civile, i thuhet mos shqipto emra, por dërgoni e-mail. Gjithçka del në funksion të një narkoshteti. Çfarë lidhje ka opozita me këtë proces? Nuk ka asnjë lidhje. Ai fare mirë të procedojë me votat e tij, por jo të poshtërojë grupin e vet parlamentar, shoqërinë civile etj”, tha Berisha.
Sa i përket një propozimi nga Komisioni i Rithemelimit, Berisha tha se: Ka idera, por sa është racionale. Mund të propozosh po të kesh vota, por kur nuk ke vota tallesh me veten tënde./tvklan.al



