
Pak ditë pasi e akuzoi kundërshtarin e tij politik për grusht shteti ndaj institucioneve të drejtësisë, Sali Berisha u shfaq me të vetët përpara dyerve të SPAK-ut. Ndryshe nga Edi Rama, vetes dhe mbështetësve të tij i njohu të drejtën kushtetuese të protestës.
“Rikthyen në Tiranë skenat e viteve ’80, kur Eskobari sulmoi gjykatën dhe aty pati viktima të tëra. Dallimi i protestës opozitare me protestën qeveritare para një institucioni shtetëror është dallimi midis ushtrimit të të drejtës demokratike të protestës dhe ushtrimit të grushtit të shtetit.”
I pakursyer u tregua në akuza, sërish teksa paralajmëroi si Ramën ashtu edhe Veliajn.
“Do të ndëshkohen në mënyrë shembullore që kujt të mos i shkojë mendja kurrë në pushtet të sulmojë pushtetin tjetër.”
Por Sali Berisha shkoi edhe më tej kur njoftoi prerazi shkrirjen e SPAK-ut dhe ndëshkim për çdo gjyqtar e prokuror që sipas tij fle mbi dosjet e krimit.
“Të njëjtin fat me bandat do të kenë prokurorët që janë të lidhur me bandat. Absolutisht ky institucion nuk do të ekzistojë. Si mund t’i japësh prokurorit kontrollin e gjykatësve tek i cili çon dosjet? Merr fund që këtu!”
Edi Ramës dorëheqjen ia kërkoi jo vetëm për aferat korruptive që tha se ka bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“I them Ramës jep dorëheqjen për paratë që keni vjedhur, paratë e taksapaguesve amerikanë sepse atje po bëhet një audit dhe ju dilni më të nxirë.”
Edhe në këtë dalje ishte kujdesur të vinte me një tjetër material që sipas tij, SPAK-u e fsheh në dosjen e Taulant Ballës, që e renditi të dytin pas Kryeministrit për lidhje me bandadat e krimin.
“Më datën 13.04.2020, Targeti informoi pinin 1FA806 se Tao ka thënë se do pastrojë plotësisht Komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhur me Boerët. Tani Boerët janë ose policë të ndershëm që luftojnë krimin ose janë mbështetës të bandës tjetër.”
Berisha zbuloi se pas amnistisë së ish-ministrit të Brendshëm fshihen prokurorë brenda SPAK-ut.
“Janë 6 prokurorë që kanë ardhur nga bandat e Taulant Ballës, ndër të cilët famozi Shehaj që për mashtrim publik duhej të ishte në burg, Enkelejda Fetahu…”
Berisha paralajmëroi se do të publikojë të tjera fakte që sipas tij implikojnë rëndë Ministrin Balla dhe ftoi qytetarët që të mos hezitojnë për t’ia dërguar në postën e tij elektonike çdo informacion që disponojnë.



