
Komisioni Evropian miratoi një paketë financiare për Malin e Zi, me vlerë prej gati 3.2 miliardë eurosh. Së bashku me vendimin për nisjen e hartimit të Traktatit të Anëtarësimit, ky konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme për Malin e Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi përfaqëson përgatitje konkrete financiare për anëtarësimin në bllok.
“Paketa e sotme është një tjetër hap konkret drejt së ardhmes së Malit të Zi në Unionin tonë. Po përgatisim Malin e Zi, shtetet anëtare dhe institucionet tona, sepse zgjerimi ka sukses vetëm kur është një projekt i përbashkët evropian, i ndërtuar mbi merita, përkushtim dhe besim”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se kjo paketë përfaqëson përmbushjen e angazhimeve të Bashkimit Evropian, ndërsa Mali i Zi vazhdon zbatimin e reformave në rrugën drejt anëtarësimit.
“Kjo do ta bëjë kalimin e Malit të Zi nga një vend kandidat në një shtet anëtar sa më të lehtë që është e mundur. Do të sigurojë vazhdimësi që nga dita e parë e anëtarësimit”, tha Kos.
Sipas Komisionit Evropian, qëllimi i paketës është ta përgatisë Malin e Zi për pjesëmarrje të plotë në buxhetin dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Kjo nënkupton se, menjëherë pas anëtarësimit, Mali i Zi do të mund të përfitojë nga fondet evropiane njësoj si shtetet e tjera anëtare, ndërsa, në të njëjtën kohë, do të nisë të kontribuojë në buxhetin e përbashkët të BE-së.
Në këtë mënyrë synohet të shmangen ndërprerjet në financim dhe të lehtësohet kalimi administrativ nga statusi i vendit kandidat në atë të shtetit anëtar.



