
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti se ka thyer mitin se BDI është e përjetshëme, duke e cilësuar këtë si hipokrizi pasi vet mexhiti për dy dekada ka mbajtur pozita të larta në BDI, shkruan Top24
Izeti Mexhiti, një individ që për dy dekada ka mbajtur pozitat më të larta në Bashkimin Demokratik për Integrim, sot, në mënyrë hipokrite, flet për “thyerjen e mitit të BDI-së”.
Për dy dekada, Mexhiti shfrytëzoi pozitat që i dha BDI – si nënkryetar i partisë, kryetar i degës së Çairit dhe tre mandate si kryetar komune – për të realizuar interesat e tij personale dhe të klanit të tij familjar.
Por njerëzit nuk janë naivë. Shqiptarët e dinë mirë se Mexhiti është simbol i korrupsionit, nepotizmit dhe keqqeverisjes. Ai është fytyra e asaj që pengoi zhvillimin dhe përparimin e shqiptarëve në Çair dhe më gjerë. Tani, me fjalët e tij boshe për “thyerje mitesh”, ai përpiqet thjesht të fshehë paaftësinë dhe dështimin e tij për t’iu përshtatur standardeve të reja të llogaridhënies.
Ai nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për këtë. Revolti i tij ishte vetëm paknaqësia pse ai nuk mundeshte të jetë pjesë e qeverisë së BDI-së dhe arsyeja është e qartë: ai nuk mundi të kalonte testin e integritetit dhe transparencës që BDI dhe procesi i gjerë i vetting-ut kundër korrupsionit e kërkon nga çdo përfaqësues i partisë dhe qytetarëve.
Izeti Mexhiti nuk e ruajti dot pozicionin e tij, jo sepse BDI është “mit”, por sepse veprimet dhe mënyra e tij e punës nuk përputheshin me standardet e reja të transparencës dhe përgjegjshmërisë. Pikërisht për këtë arsye ai vendosi të largohej nga partia dhe të krijonte të tijën, me të vetmin qëllim – të hynte në qeveri me çdo kusht, pavarësisht mungesës së legjitimitetit.
BDI mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të transparencës, antikorrupsionit dhe përgjegjshmërisë. Qytetarët meritojnë politikanë që përfaqësojnë interesat e tyre, jo agjenda personale. Shqiptarët nuk do të mashtrohen nga politikanë si Izeti Mexhiti, i cili ndërtoi karrierën e tij mbi abuzime dhe manipulime, dhe tani përpiqet të fajësojë partinë për gabimet e tij. Koha e Izeti Mexhitit ka mbaruar, dhe e ardhmja e shqiptarëve qëndron te politikat e bazuara në ndershmëri dhe vlera të vërteta.



