LajmeMaqedoni

BDI-Çair pas përmbytjeve të djeshme: Masterplani i premtuar u shndërrua në “Masterplan të dështimit”

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Çair ka reaguar ashpër pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e djeshme, duke akuzuar udhëheqjen e Komunës për dështim të plotë në menaxhimin e infrastrukturës dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të komunës, Izet Mexhiti.

Në një konferencë për media, anëtari i Degës së BDI-së në Çair, Reshat Ameti, tha se pamjet e përmbytjeve, ku rrugët u mbuluan nga uji, shtëpitë u përmbytën dhe lëvizja e qytetarëve u paralizua, nuk janë pasojë e një fatkeqësie natyrore, por rezultat i keqqeverisjes dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë.

“Kur një komunë përmbytet pas vetëm një ore reshje intensive, problemi nuk është te natyra, por te mungesa e planifikimit, investimeve dhe korrupsioni i institucionalizuar”, deklaroi Ameti.

Ai rikujtoi premtimet e dikurshme për një masterplan zhvillimor të Çairit, duke pyetur publikisht se ku ka përfunduar ai projekt.

“Ku është Master Plani që premtoi Izet Mexhiti? Qytetarët nuk panë asnjë masterplan urbanistik, asnjë strategji për kanalizimin atmosferik dhe asnjë investim serioz në infrastrukturën nëntokësore”, u shpreh Ameti.

Sipas tij, në vend të projekteve të premtuara, qytetarët kanë marrë “master të korrupsionit, master të keqmenaxhimit, master të betonizimit pa plan, master të ndërtimeve pa infrastrukturë dhe master të propagandës”.

BDI vlerëson se përmbytjet e fundit janë rezultat i viteve të neglizhencës, mungesës së vizionit dhe planifikimit urban, ndërsa thekson se Çairi nuk mund të zhvillohet përmes ndërtimeve pa infrastrukturë dhe duke favorizuar interesat private në dëm të interesit publik.

Në fund të konferencës, Reshat Ameti kërkoi përgjegjësi politike dhe morale nga drejtuesit e komunës, duke bërë thirrje që kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, të japë dorëheqje.

“Qytetarët e Çairit meritojnë një komunë që funksionon, jo një komunë që fundoset pas çdo shiu. Koha e propagandës ka mbaruar. Ka ardhur koha e përgjegjësisë”, deklaroi Ameti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close