
Kur erdhi në pushtet, nga frika prej VMRO-DPMNE-së, VLEN e ndërtoi propagandën politike mbi sloganin se “etika është para etnikes”. Sot, pas dy vitesh qeverisje, nuk i ka mbetur as etika dhe as etnikja. I ka humbur të dyja!
Ku është etika kur një funksionar i VLEN-it përdor gjuhë kërcënuese ndaj një vajze shqiptare vetëm dyvjeçare, vetëm pse nuk i pëlqen mendimi i babait të saj?
Ku është etika kur VLEN hesht përballë sulmit verbal të Ivan Stoilkoviqit ndaj deputetes Arbana Pasholli, duke zgjedhur nënshtrimin në vend të mbrojtjes së dinjitetit të një gruaje shqiptare?
Ky nuk është më debat politik. Ky është degradim etik, moral, politik dhe kombëtar.
Liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë, ligj dhe konventa ndërkombëtare. Askush nuk ka të drejtë të përdorë fëmijët si mjet presioni politik.
Tradita shqiptare nuk njeh hakmarrje ndaj grave dhe fëmijëve. “Gratë dhe fëmija – gjak nuk kanë” shprehet Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke i përjashtuar ata nga çdo formë hakmarrjeje. Kërcënimi i një vajze dyvjeçare nuk është vetëm shkelje e normave demokratike, por edhe e vlerave më themelore shqiptare.
Se nuk e keni Besën e Konstantinit, shqiptarët e dinë prej kohësh.
Se nuk keni guxim ta kundërshtoni Ivan Stoilkoviqin, e dëshmuat sërish me heshtjen tuaj pas sulmit ndaj Arbana Pashollit.
Se nuk respektoni historinë, dinjitetin dhe vlerat shqiptare, e keni dëshmuar me nënshtrimet dhe tërheqjet tuaja të vazhdueshme.
Por se do të arrinit të përdornit një vajzë dyvjeçare si objekt kërcënimi politik, këtë askush nuk do ta kishte besuar.
VLEN nuk është më as etnike, as etike. Ka mbetur vetëm një instrument i nënshtrimit politik, që hesht përballë fyerjeve ndaj shqiptarëve dhe kërcënon vetë shqiptarët.
Heshtja nuk është më opsion. Shqiptarët meritojnë përfaqësues që i mbrojnë, jo që i frikësojnë. BDI do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi politike dhe institucionale për çdo abuzim të pushtetit.
Përgjegjësi!
Dorëheqje!



