
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të vazhdojë seancën e 111-të plenare, në të cilën deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh, dokumentesh strategjike, raportesh dhe çështjesh që lidhen me emërime në institucione.
Ndër pikat më të rëndësishme të rendit të ditës është Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele, i cili është në lexim të tretë, si dhe Propozim-ligji për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejtë, që do të shqyrtohet në lexim të dytë.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe Llogarinë Përfundimtare të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, si dhe ndryshimet në Ligjin për Standardin Studentor, të propozuara me procedurë të shkurtuar.
Para deputetëve do të jenë edhe disa projektligje nga fusha e arsimit të lartë dhe shkencës, përfshirë Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë, Propozim-ligjin për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë, si dhe Propozim-ligjin për Veprimtarinë Shkencore-Hulumtuese, të gjitha në lexim të parë.
Në rend dite është edhe Strategjia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit për periudhën 2026–2030, si dhe propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Mbikëqyrje Qytetare dhe emërimin e një anëtari të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Menaxhimin e Mbeturinave Komunale.
Gjatë seancës do të shqyrtohen edhe raportet vjetore të disa institucioneve, përfshirë Agjencinë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, Agjencinë për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital dhe Entin Shtetëror të Revizionit, si dhe raporti për gjendjen në tregun e sigurimeve gjatë vitit 2025.
Në agjendë janë edhe ndryshimet në ligjet për mbikëqyrjen e sigurimeve, autokampet dhe energjetikën, të cilat do të shqyrtohen me procedurë të shkurtuar.



