LajmeRajonTopLajm

Bashkëpunëtorit të afërt të Albin Kurtit, i riaktualizohet në kohë fushate ‘kontrata me SHIK-un’ (Dokument)

A ishte apo nuk ishte pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK)? Prej kohësh kjo pyetje e ka përcjell nënkryetarin e Vetëvendosjes, Glauk Konjufcën. E tash kur po afron fushata, një dokument i cili është publikuar edhe vite më parë, për të cilën, ka folur edhe vet Konjufca, është riaktualizuar sërish në rrjetet sociale. Vërtetësia e tij ka shumë pikëpyetje. Për Syri.net kanë folur edhe njerëzit të cilëve iu përmendet emri në këtë dokument.

Një letër në formë kontrate që pretendohet se i takonte Glauk Konjufcës pas anëtarësimit të tij në SHIK, po qarkullon me të madhe nëpër rrjetet sociale. Kjo po bëhet pikërisht kur Kosova ndodhet në kohë fushate, e Konjufca garon në listën e kandidatëve për deputetë.

Ky dokument, që nuk dihet ende për vërtetësinë e tij,  është një kontratë e cila pretendon kyçjen e Glaukut në strukturat e SHIK-ut qysh kur i kishte vetëm 20 vjeç. Image

Madje, për ta bërë më të besueshëm dokumentin, është përmendur edhe rroga me të cilën pretendohet se nënkryetari i LVV-së ka pranuar të punojë në këto struktura që zyrtarisht tashmë janë shuar në Kosovë, shkruan Syri Kosova.

Paga sipas këtij dokumenti ishte 120 marka gjermane. E brenda këtij dokumenti (kontrate) përmenden edhe dy emra të njerëzve që ishin gjithashtu pjesë e ShIK-ut, babai i Glaukut, Sherif Konjufca si dhe analisti Fadil Lepaja.

Akuzat se Glauk Konjufca ishte pjesë e ShIK-ut, i nisi në vitin 2019 ish-bashkëpartiaku i tij, Dardan Molliqaj, i cili e akuzoi atë se kishte qenë pjesë e këtij shërbimi.

Lidhur me këto akuza, ishte deklaruar edhe vet Glauku, i cili e kishte mohuar se kishte punuar në ShIK.

Unë kurrë nuk kam qenë në SHIK dhe as kam punuar kurrë në të. Ky i sotshmi ishte një film shumë i dobët fantastiko-shkencor i Molliqajt. Ai gënjeu sërish meqë para pak ditësh premtoi me shumë bujë nxjerrjen e  “dokumenteve” kundër meje, kurse sot ra në nivelin e llafeve “me të dëgjuar”. Dardani definitivisht nuk po e kuptoka se çka është dokumenti si i tillë. Ky person është shumë joserioz dhe gjynah për Kuvendin që është deputet”, kishte thënë aso kohe Konjufca.

Njësoj e ka mohuar pjesëmarrjen në këtë institucion edhe i apostrofuari tjetër, Fadil Lepaja i cili sipas këtij dokumenti, ishte dëshmitarë i nënshkrimit të kësaj kontrate pune në ShIK.

Lepaja për Syri Kosova e ka mohuar se ka qenë ndonjëherë pjesë e kësaj organizate.

Ai madje ka ftuar edhe Prokurorinë e Shtetit që të nis hetimet lidhur me këtë dokument.

Bëhet fjalë për një shpifje ordinere dhe për një dokument të falsifikuar. Kur u pat publikuar për herë të parë ky falsifikat, kam kërkuar publikisht që Prokuroria e Shtetit të hetoj lidhur me këtë dokument, për të cilin me përgjegjësi penale dhe morale deklaroj se është i falsifikuar, dhe përmban shpifje lidhur me personin tim. Në atë fasifikat, shpifet kinse unë kam marrë pjesë në një akt, në të cilin jo vetëm se nuk kam qenë prezent, por as nuk kam ditur asgjë për diçka të tillë”, tha Lepaja për Syri Kosova.

Ai madje tha se vazhdon të ketë mendim kritik lidhur me punën e kësaj organizate si dhe rrethanat në të cilat ka funksionuar ajo.

E përsëris edhe njëherë, sikurse me rastin e “publikimit” të parë të këtij falsifikati dhe kësaj shpifjeje se asnjëherë, me vetëdije dhe besoj as pa vetëdije nuk kam qenë pjesë e strukturave të SHIK-ut, as kam bashkëpunuar në çfarëdo forme me ta. Përkundrazi, kam pasur dhe vazhdoj të kem mendim kritik për punën e kësaj organizate, e cila u krijua në rrethana të jashtëzakonshme menjëherë pas lufte dhe vazhdoi të funksionojë derisa pretendohej të jetë shuar, pas formimit të AKI-së”, ka shtuar më tej Lepaja.

Në kohën kur u bën këto akuza ishte deklaruar edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli kishte thënë se ‘do të flasë në momentin e duhur’ lidhur me këto deklarime përmes të cilave thuhet se nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, kishte qenë pjesë e ShIK-ut, të cilën e ka udhëhequr vetë Veseli.

Pjesa e të kaluarës, kena kohë edhe kena me bisedu kena do sfida të ardhshme, kam thanë edhe një herë, kam me i ngi të tanë me SHIK. Për arsye se janë munduar shumë të keqpërdorin, të paburra e të pamoralshëm, keqbërës e zi. Do të flas në momentin kur është më adekuat, më relaksues”, kishte thënë Veseli.

Në nëntor të vitit 2012, Kadri Veseli kishte deklaruar mbylljen zyrtare të ShIK-ut më 14 qershor 2008.

Veseli kishte deklaruar se ShIK-u kishte nisur punën në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës deri në janar të vitit 2000.

Madje sipas Veselit, liderët e vendit kishin qenë të informuar për aktivitetet e kësaj organizate.

Deri tani nuk ka pasur asnjëherë transparencë për veprimtarinë e SHIK-ut, shërbimit informativ të PDK-së, as për pjesën financiare si dhe atë kadrovike dhe punën që kanë bërë konkretisht ata.

Ish-drejtuesit dhe anëtarët e SHIK-ut, janë bërë deputetë dhe kanë marrë pozita drejtuese të ndryshme në institucione, në kompani publike e borde, në përfaqësitë diplomatike të Kosovës etj.

Parlamenti kishte tentuar të hetonte veprimtarinë e SHIK-ut, por një mision i tillë ka dështuar.

/Syri Kosova/

Related Articles

Back to top button
Close
Close