LajmeRajonTopLajm

Kosova padit ministren serbe Paunoviq mbi deklaratat e saj për “spastrim etnik”

Kosova ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunoviq.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla, e cila theksoi se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit.

“Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore”, ka shkruar Gërvalla në rrjetet sociale.

Paunoviq gjatë një emisioni ka deklaruar se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte figura kryesore e regjimit serb gjatë luftës në Kosovë. Ai u akuzua nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por vdiq më 11 mars 2006 para se gjykimi për të të përfundonte.

Gjatë luftës në Kosovë konsiderohet se u vranë mbi 13 mijë persona, rreth një milionë shqiptarë u dëbuan nga vendbanimet e tyre ndërsa vazhdon të mbetet i panjohur fati edhe i mbi 1.500 të zhdukurve nga periudha e luftës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close