LajmeMaqedoniOpinion

Bashkë kundër zgjedhjes së Presidentit në Parlament

Dy partitë kryesore maqedonase, Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet dhe VMRO DPMNE-ja në opozitë, por edhe ZNAM e Maksim Dimitrievskit, janë shprehur kundër kërkesës së BDI-së në pushtet dhe opozitës së bashkuar shqiptare për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut në Parlament, dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta

Xhenur ISENI

Shkup, 25 shkurt – Propozimi i BDI-së për zgjedhje të presidentit të shtetit në Parlament me shumicë prej dy të tretave, ndërkaq të cilin e kërkoi edhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, është i papranueshëm për pothuajse të gjitha partitë politike maqedonase. Nga LSDM, partnere e koalicionit qeverisës me BDI-në, përmes një komunikate informoi se kjo ide nuk është e re, por bëhet fjalë për riafirmim të kërkesës së BDI-së prej vitit 2019. Socialdemokratët theksojnë se kjo atëherë nuk ishte e pranueshme nga ana e tyre dhe se mbeten në qëndrimin se modeli i zgjedhjes së presidentit të shtetit nuk duhet të ndryshohet.

“Nuk duhet të shkohet prapa në procese demokratike. LSDM mbetet në qëndrimin se Presidentin e shtetit duhet ta zgjedhin qytetarët në zgjedhje të drejtpërdrejta si e drejtë demokratike e qytetarëve. Presidenti i shtetit duhet të jetë përfaqësues jo vetëm i vullnetit shumicë të qytetarëve por i të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre politike, etnike. Presidenti i shtetit është njeri i cili është mbi përcaktimet partiake dhe etnike, i paraqet të gjithë qytetarët, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, boshnjakë, vllehë, të gjithë. Vetëm presidenti i zgjedhur drejtpërdrejt nga ana e qytetarëve ka potencial të gjerë, të mund të veprojë në bashkimin e shoqërisë, të qytetarëve, të partive dhe të kontribuojë për realizimin e qëllimeve kryesore strategjike dhe nacionale”, theksojnë nga LSDM.

VMRO-DPMNE ndërkaq konsideron se BDI në mungesë të të argumenteve dhe projekteve reale dalin me kërkesa nacional – romantike, siç është zgjedhja e presidentit të shtetit në Kuvend. “Qëndrimi ynë është se VMRO-DPMNE nën shantazhe as nuk bisedon, as nuk negocion, e aq më pak pranon shantazhe. Ne vetëm do t’u bëjmë thirrje qytetarëve ta ndjekin këtë sjellje të BDI-së dhe ai të jetë motiv shtesë për të gjithë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme të dëshmojnë se ky shtet nuk është peng i një partie politike dhe se BDI, siç sillet në 20 vitet e fundit, dukshëm do të vazhdojë të sillet edhe në vitet e ardhme”, tha dje në konferencë për shtyp deputeti, Brane Petrushevski. Në pyetjen nëse me kushtëzimet është sjellë në pikëpyetje censusi për president, Petrushevski tha se sjellja e tillë e BDI-së plotësisht do t’i motivojë qytetarët të thonë “mjaft më”.

Edhe kryetari i partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili paralajmëroi kandidaturë për president, deklaroi se nuk do ta mbështesin zgjedhjen e presidentit në Parlament, sepse kjo do ta kushtëzonte shtetin dhe do ta pakësonte fuqinë e institucionit të Presidentit.

Ndryshe, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, të enjten gjatë prezantimit të kandidatit të partisë së tij për president, Bujar Osmani, tha se fushata e BDI-së në zgjedhje do të përqendrohet në kërkesën që në të ardhmen presidenti të zgjidhet në Kuvend, ndërsa përveç presidentit të zgjidhet edhe një zëvendëspresident, që do të ishte shqiptar. Një kërkesë të tillë, të mërkurën, e prezantoi edhe Arben Taravari, kandidati për president i opozitës shqiptare që përbëhet nga katër parti politike. Veç kësaj, Taravari kërkoi që me Kushtetutë të përcaktohet që një nga tre postet kryesore në shtet t’i takojë shqiptarëve – presidenti, kryetari i Kuvendit apo kryeministri.

Related Articles

Back to top button
Close
Close