
‘Mund të flasim për karton të kuq për mbrojtësin e Atletico, ishte një penallti e pastër kur portieri nisi lojën dhe ai(Pubill) e kapi topin me dorë, e kishte marrë një karton të verdhë, mund të ishte i dyti. Duhet ta pranojmë, gjërat shkuan kështu, por nuk është një ndjesi e bukur’-kështu u shprej trajneri i Barcelonës, Hansi Flick i irrituar pas sfidës me Atletico Madrid.
‘Sistemi VAR ishte në favor të Atletico…ishte një gjerman, faleminderit Gjermani-tha me tone ironie Flick në lidhje me vendimet e arbitrit në sallën VAR, Christian Dingert-nuk e di se përse nuk ndërhyri VAR. Arbitri është gjerman dhe besoj se kjo është e pabesueshme. Të gjithë bëjmë gabime, por për çfarë e kemi VAR? Nuk e kuptoj. Duhet të kishte penallti, karton të dytë të verdhë e si pasojë karton të kuq. Kjo nuk duhet të ndodhë’.
Në vija të përgjithshme, hidhërimi i Flick për humbjen është më shumë për episodet sesa për lojën e skuadrës së tij. ‘Nuk ishte mbrëmja jonë, nuk ishim me fat-tha Flick-kartoni i kuq dhe pësimi i golit 0-1 në mënyrë të menjëhereshme…por jam krenar për skuadrën time, bëmë mirë edhe në pjesën e dytë me një futbollist më pak.
Gjithsesi, Flick ka ende besim për ndeshjen e kthimit që do të jetë pas më pak se një jave.
‘E dimë që është e vështirë, duhet të jemi të qetë dhe të mbetemi pozitivë-shtoi Flick-kemi futbollistë cilësorë për të përmbysur situatën. Objektivi është të arrijmë finalen, rruga është e gjatë, por do bëjmë gjithçka për ta arritur’.



