LajmeSport

Barcelona e humb edhe apelin, Flick s’do të jetë në stol në “El Clasico”

Barcelona nuk do ta ketë trajnerin Hansi Flick në pankinë për ndeshjen e fundjavës kundër Real Madridit në “El Clasico”, pasi është konfirmuar se përpjekjet e klubit për ta pasur atë në dispozicion në “Santiago Bernabeu” kanë dështuar.

Flick u përjashtua nga gjyqtari Jesus Gil gjatë fitores 2-1 të Barcelonës ndaj Gironas fundjavën e kaluar, pasi mori dy kartonë të verdhë. Klubi kishte dorëzuar një ankesë kundër vendimit, por Komisioni Disiplinor vendosi se përjashtimi ishte i drejtë dhe i dha atij një ndeshje pezullim.

Barcelona më pas dorëzoi një ankesë të re në Komisionin e Apelit, por sipas “Mundo Deportivo”, edhe kjo është refuzuar. Si pasojë, Flick do të jetë i ndaluar të drejtojë nga pankina, që do të thotë se do ta ndjekë “El Clasicon” nga tribuna, përveç nëse klubi vendos të bëjë një ankesë të fundit në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS).

Natyrisht, Barcelona do të jetë shumë e zhgënjyer që nuk e ka Flick në pankinë në Bernabeu, aty ku sezonin e kaluar fitoi 0-4. Në mungesë të tij, ndihmëstrajneri Marcus Sorg do të marrë drejtimin e skuadrës, një rol që e kishte marrë edhe dy herë sezonin e kaluar, ndaj Leganes dhe Atletico Madridit.

Megjithatë, kjo është shqetësuese për Barcelonën, pasi humbën të dyja ato ndeshje (0-1 ndaj Leganes dhe 1-2 ndaj Atleticos), duke treguar se mungesa e Flick-ut në pankinë është një disavantazh i madh për ekipin.

Sidoqoftë, në klub mbizotëron besimi se skuadra mund të arrijë rezultat pozitiv edhe nën drejtimin e Sorgut.

Tani mbetet për t’u parë nëse Barcelona do ta çojë çështjen në CAS, por klubi ka afat deri të premten në orën 12:00 për ta bërë këtë. Nëse vendoset që nuk do të ketë më apelime, atëherë Flick do të jetë në tribuna të dielën pasdite.

Related Articles

Back to top button
Close
Close