OpinionTopLajm

Ballkani si botë imagjinare

Sipas Jezernik-ut, përderisa Maqedonia ishte pjesë e Perandorisë Osmane, banorët e saj u quajtën bullgarë, kurse bota ishte pajtuar me këtë. Kur filluan pretendimet e shteteve fqinje ndaj saj, atëherë banorët quheshin grekë – sllavë, serbë të jugut ose bullgarë. Jezernik thotë se sllavët e Maqedonisë nuk kishin kuptim për kombësinë.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Bozhidar Jezernik-u, në librin Europa e egër, pasi i ka analizuar shkrimet mbi Ballkanin, që janë shkruar ndërmjet shekujve XVI dhe XX, ka vërejtur se diskursi për gadishullin ka ndryshuar përgjatë shekujve dhe në varësi të rrethanave politike.

Ai i kushton rëndësi edhe përkatësisë etnike të udhëpërshkruesve. Serbët, sipas autorëve gjermanë, ishin konspiratorë dhe shkaktarë të Luftës së Madhe. Udhëpërshkruesit gjermanë shkruanin negativisht për ortodoksët dhe pozitivisht për myslimanët. Të dytëve ua vlerësonin pjekurinë, maturinë, fisnikërinë dhe dinjitetin. Autorët rusë e vlerësonin ortodoksinë dhe shkruanin keq për katolikët dhe myslimanët.

Shumë autorë kanë shkruar edhe për Shqipërinë ose Maqedoninë (si nocion më i gjerë gjeografik), si për dy vende “ku nuk kishte qëndruar asnjë udhëtar”. Kjo mënyrë shkrimi e joshte publikun europian, i cili i pëlqente rrëfimet“për gjërat e çuditshme”.

 

Ballkani i paragjykuar dhe paragjykues

 

Si shkruanin autorët e huaj për Ballkanin dhe ballkanasit?

Jezerniku thotë se deri në fillim të shekullit XIX Ballkani ishte pa emër.

“Në vitin 1808 ishte gjeografi gjerman, August Cojne, që ia dha emrin Hamushalbinsel, kurse më vonë u ndryshua në gadishulli i Ballkanit. Frederik Kalverti ishte i pari që në vitin 1767, në vend të emrit Hemus, e përdori emërtimin anglez “The Great Balcan”. Megjithatë, që në fillim u konsiderua se emri i ri nuk mund të ishte zëvendësim për të vjetrin”. 

Ndonëse për emrin e gadishullit pati mospajtime (njëri prej kundërshtarëve ishte Ami Boue, i cili e përdori termin “Turqia Europiane”), perceptimi i Ballkanit dhe ballkanasve nga autorët europianë mbeti pothuajse konstant. Ballkani u quajt tokë e fshehtë; zonë e errët; zonë ekzotike; pjesa e majtë ose pjesa fantastike e Europës; Tokë e Askujt; Lindje e fjetur; vendi ku fillonte Lindja; rajoni ku mbaronte bota e qytetëruar; botë e 1001 netëve ku europiani brenda ditës shkon me tren nga Vjena në mesjetë; hapësirë në kufijtë territorialë të Europës dhe jashtë kufijve kulturorë të saj; rajon i ndryshëm nga pjesa tjetër e Europës; rajon i largët nga qytetërimi perëndimor dhe kulturalisht inferior; rajon barbar kundrejt Europës së qytetëruar; rajon i luftërave të përhershme politike, ekonomike dhe kulturore; rajon i dhunshëm, luftarak, i kufizuar, i egër, primitiv, i eksituar, inatçi, i pabesë, konspirativ, i paskrupullt, oportun, përtac, i ngathët, i prapambetur, supersticioz, me burokraci të theksuar; rajon krimesh, ndarjesh, hakmarrjesh dhe pa respekt për gruan; rajon i ndryshëm për nga sjellja, traditat, mënyra e jetesës dhe veshja; rajon i ndyrë (rrugë të këqija, shtëpi të thjeshta, hane të papastra).

Ballkanasit u përshkruan si luftëtarë të rrezikshëm, gjuetarë kokash, kriminelë potencialë, pengesë për përparimin demokratik, europianë që duhej të qytetëroheshin ose si njerëz që Europën e shihnin sidiçka tjetër“.

Udhëpërshkruesit shkruajnë edhe për mënyrën e jetesës së ballkanasve. Shkruajnë për mënyrën e të ushqyerit, mungesën e thikave dhe pirunëve, “gishtat me yndyrë”, të ushqyerit në sofër dhe jo në tavolinë. Qëllimi: të “dëshmohej” se “lindori nuk mund të ishte tjetër, veçse barbar”.

Shkrime me konotacion negativ për Ballkanin dhe ballkanasit kanë shkruar edhe diplomatët dhe studiuesit. Ata e quanin Europën“të qytetëruar dhe superiore” kundrejt qytetërimeve “joeuropiane”.

Për Paul Ziberc-in, Filip Tornton-in ose Robert Kaplan-in, që citohen nga autori, Ballkani nuk i takonte kontinentit, botës së qytetëruar, “pavarësisht se çfarë shkruhej në atlase“. Tomas Arnold-i shkruante se Ballkani ishte në vendin e duhur për kontakte me qytetërimin, por sërish kishte mbetur barbar.

Ballkani është paragjykuar jo vetëm nga autorët europianë, por edhe prej atyre ballkanas. Shqiptarët janë ndër më të paragjykuarit. Veçanërisht në kulturën serbe. Ky perceptim ndaj shqiptarëve në kulturën serbe dhe jo vetëm nuk dallon nga ai shekullit XIX.

U tha se te shqiptarët kishte “njerëz me bishta”, se ishin “dhunues ikonash”,”plaçkitës” ose “më të këqij edhe sesa turku”. 

Sa herë përmendet stereotipi për “shqiptarët me bishta” mendja na shkon te famëkeqi Vlladan Gjorgjeviqi, por këtë marrëzi ai e kishte huazuar prej autorëve europianë. Hahni foli për besimin që ekzistonte te shqiptarët dhe ballkanasit për ekzistencën e njerëzve me bishta. E vazhdoi Torntoni, i cili, me sa duket, u vu në lojë nga disa shqiptarë të zgjuar që jetonin në Bosnjë. Gjorgjeviqi e shumëfishoi këtë marrëzi, që të “dëshmonte” se shqiptarët ishin “racë e ulët”dhe“të paaftë” të udhëhiqnin një shtet të pavarur. Qëllimi kryesor ishte që Serbia të kishte dalje në det.

Stereotipi për shqiptarin si “dhunues ikonash” u shumëfishua nga autorët serbë. Ai u dekonstruktua edhe nga shkrimtari Dhimitër Shuteriqi. Sipas Shaban Sinanit, romancieri shqiptar, nëpërmjet romanit Sytë e Simonidës(1998), i amniston shqiptarët prej një faji konkret: nuk ia kishin nxjerrë sytë Simonidës.

 

Jezernik mbi “çështjen maqedonase”

 

Jezerniku nëkëtë libër, mes tjerash, merret edhe me“çështjen maqedonase”. Ajo, sipas tij, ishte përdorur për problemet ndërmjet Europës dhe Turqisë. Maqedonia, para shpërbërjes së Perandorisë Osmane, trajtohej si barrierë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit ose, siç thuhej, si barrierë e qytetërimit ndaj barbarisë dhe arsimit ndaj injorancës. Njëkohësisht, u quajt “kolazh popujsh, besimesh, gjuhësh” dhe “muze etnografik”. Kjo shumëllojshmëri i frymëzoi edhe gastronomet francezë që një sallatë ta quanin “macedoine”. Pas shpërbërjes së Perandorisë, ajo u bë “grali i shenjtë”, që pretendohej prej shteteve ballkanike. Territori i saj, shkruan Jezernik-u, ishte bërë mollë sherri që nuk i ngopte orekset e shteteve ballkanike. Grekët, sipas tij, donin ta përligjnin shtrirjen në Maqedoni, duke u thirrur në lavdinë e Lekës. Bullgarët u thirrën në perandorinë bullgare, serbët në shtetin mesjetar, shqiptarët, që jetonin aty, thanë se maqedonasit e vjetër ishin shqiptarë dhe këtë e ndërlidhën me Olimbinë, nënën e Lekës. Shumë vite më pas, për këtë qëllim, maqedonasit pretenduan se ishin pasardhës të Lekës, prandaj ndërtuan përmendore që ta “dëshmonin” këtë histori.

Sipas Jezernik-ut, përderisa Maqedonia ishte pjesë e Perandorisë Osmane, banorët e saj u quajtën bullgarë, kurse bota ishte pajtuar me këtë. Kur filluan pretendimet e shteteve fqinje ndaj saj, atëherë banorët quheshin grekë – sllavë, serbë të jugut ose bullgarë. Jezernik thotë se sllavët e Maqedonisë nuk kishin kuptim për kombësinë. Ai e citon Vasil Vodovozovin, që kishte dëgjuar nga njerëzit të shpreheshin: “Jam ortodoks, kam qenë ekzarkist, tani jam serb”. Ose: “Kam qenë bullgar, tani jam serb”. Ata, sipas autorëve perëndimorë, e kishin ruajtur ortodoksinë, por vazhdimisht e kishin ndryshuar përkatësinë kombëtare.

Jezernik-u thotë se në Maqedoni paraja kishte luajtur rol të madh në përcaktimin etnik. Ai jep disa shembuj. Diplomati rus, Ritih, shkruante se në Manastir kishte takuar tre vëllezër me identitete të ndryshme: njëri bullgar, tjetri rumun dhe i treti grek. Një autor europian thotë: “Patriotizmi në Ballkan ishte i thellë sa qesja”. Një konsull francez deklaronte se me një milion franga mundi ta bënte Maqedoninë vend francez. Kur një konsull serb u tha banorëve, të cilët ishin pasuruar, se kishte ardhur koha të bënin diçka për atdheun, pra për Serbinë, përgjigja e njërit prej tyre ishte: “Eh, zotëri konsull, kjo do të ishte e pakëndshme për ju. Kur marr para nga ju, atëherë patriotizmi më thotë se jam serb. Kur më zbrazet xhepi, atëherë ai më thotë se jam bullgar”.

Jezernik-u e analizon edhe veprimtarinë e VMRO-së, kundërvënien e Greqisë dhe pretendimet për krijimin e Serbisë së Madhe, që kishin filluar nga viti 1878. Serbia e donte Maqedoninë bashkë me portin e Selanikut, prandaj pretendonte se ajo kishte qenë serbe. Elita serbe, për këtë shkak, u thirr në gjeografi, etnologji, filologji dhe histori. Maqedonasit u quajtën “masë amorfe”, “pa ndjenja të veçanta kombëtare”, “me predispozita të shkriheshin në serbë ose bullgarë”. Nga fundi i shekullit XIX u hapën 200 shkolla serbe në Maqedoni, të cilat ishin “fabrika propaganduese”; u themeluan shoqëri të fshehta serbe, që propagandonin se “maqedonasit ishin serbë” dhe “Maqedonia i takonte Serbisë”, kurse në Shkup u emërua një peshkop serb që ndikonte nëpërmjet religjionit.

Serbia, gjatë luftërave ballkanike, e pushtoi Kosovën dhe Maqedoninë, si dhe arriti ta shkombëtarizonte një numër të madh shqiptarësh myslimanë, kurse sllavëve ua shtoi nga një “iq” në mbiemra. Sllavët e Maqedonisë, shkruan Jezernik-u, filluan të deklaroheshin si maqedonas në fund të shekullit XIX, kurse autorët perëndimorë i kushtuan vëmendje Maqedonisë nga frika e një shpërthimi luftarak. Maqedonia, që vazhdoi të mbetej zonë e ndërlikuar, u quajt nga Abot-i si “komedi konfuzioni ku askush nuk e dinte se çka ishte, por të gjithë, instinktivisht, e ndjenin se secili ishte një tjetër”. Për të Maqedonia ishte “rajoni i shpirtrave të sapolindur që endeshin në kërkim të trupit dhe humbnin gjatë këtij kërkimi”.

Libri Europa e egër – Ballkani në sytë e udhëtarëve nga Europa, i cili zgjoi interesim të madh te lexuesit europianë dhe rajonalë, është një studim imagologjik. Aty analizohen dhe dekonstruktohen stereotipat dhe paragjykimet për Ballkanin dhe ballkanasit. Është libër me qasje të veçantë, me shumë të dhëna, ku autori, nëpërmjet detajeve, depërton në thelbin e problemeve të rajonit të paragjykuar dhe të trazuar.

 

* Për shkak të natyrës së revistës janë hequr referencat shkencore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close