
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar për herë të parë në lidhje me letrën që Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar LDK-së për një bashkëpunim të mundshëm politik.
Para mediave të martën, Bajrami ka theksuar se çështja në fjalë është duke u trajtuar brenda strukturave të partisë dhe se kryetari Lumir Abdixhiku është i vetmi që ka ekskluzivitetin për të dhënë një përgjigje zyrtare.
“LDK është një parti e strukturuar dhe çdo komunikim i tillë institucional trajtohet me kujdesin e duhur. Kryetari i partisë, z. Abdixhiku, është ai që ka të drejtën dhe përgjegjësinë për t’iu përgjigjur zyrtarisht çdo nisme apo komunikimi të tillë nga jashtë,” tha Bajrami.
Lidhur me letrën e Kurtit dërguar Abdixhikut ajo deklaroi se LDK ska qenë duke pritur letër në mënyrë për të bërë qëndrimin, ku shton se ata kanë qëndrim.
“Letra ju ka drejtu kryetarit, kryetari sigurisht që vetë do të përgjigjet në letër dhe ai e ka ekskluzivitetin që t’ju tregoj edhe juve se çfarë do të thotë për letrën, mirëpo Lidhja Demokratike e Kosovës ka tashmë një qëndrim të formësuar sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, ne s’kemi qenë duke pritë letër në mënyrë që ta bëjmë qëndrimin, domethënë ne kemi qëndrim”, tha deputetja e LDK-së.



