
Kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, mori pjesë sot në ceremoninë solemne të shënimit të Ditës Kombëtare të Zvicrës dhe në festën e lamtumirës për ambasadoren Véronique Hulmann. Rexhepi vlerësoi angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Tetovën dhe qytetarët e saj, duke përmendur rolin e saj të veçantë gjatë sfidave të kaluara, si vërshimet e vitit 2015, si dhe projekte të shumta të realizuara nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, njofton Top24
Në një postim të tij, Rexhepi shkruan:
“🇨🇭Sot kisha nderin të marr pjesë në një ngjarje të veçantë, shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës dhe festën e lamtumirës me rastin e përfundimit të mandatit të ambasadores Hulmann.
Ky ka qenë një mandat i suksesshëm dhe shumë domethënës për vendin dhe qytetin tonë. Shfrytëzoj këtë rast ta falënderoj ambasadoren Hulmann për punën, përkushtimin dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme. Zvicra ka qenë gjithmonë pranë Tetovës dhe qytetarëve të saj, sidomos në kohë të vështira si vërshimet e vitit 2015, por edhe përmes shumë projekteve të realizuara nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Ju faleminderit zonja Hulmann!
Ju uroj shëndet, suksese dhe mbarësi në çdo hap të mëtutjeshëm të jetës dhe karrierës suaj.”
Ky aktivitet i jep Rexhepit një mundësi të veçantë për të forcuar lidhjet me partnerët ndërkombëtarë dhe për të evidentuar angazhimin e tij për qytetin e Tetovës.



