
Ish-presidenti amerikan Xho Bajdeni në intervistën e tij të parë që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë deklaroi se presioni i pasardhësit të tij Donald Tramp mbi Ukrainën për t’ia dorëzuar territorin Rusisë është një formë e lëshimit modern që nuk do ta kënaqë kurrë Moskën.
Në një intervistë për Bi-Bi-Si-në të publikuar sot, Bajdeni tha se presidenti rus Vladimir Putini beson se Ukraina është pjesë e “Nënës Rusi” dhe se kushdo që mendon “se ai do të ndalet është thjesht naiv”.
“Thjesht nuk e kuptoj si mendojnë njerëzit që nëse lejojmë një diktator, një dhunues, të vendosë të marrë pjesë të konsiderueshme të territorit që nuk është i tij, kjo do ta kënaqë”, tha demokrati.
Ai shprehu shqetësim se Evropa do të “humbë besimin” në qëndrueshmërinë dhe lidershipin e Amerikës.
Liderët evropianë tani po “pyesin se çfarë të bëjnë”, gjegjësisht “a mund të mbështeten te SHBA-ja”, tha ish-presidenti 82-vjeçar, të cilin Tramp e ka përmendur të paktën 600 herë që kur mori detyrën, duke e fajësuar atë për gjendjen e dobët të ekonomisë.
Në një intervistë për Bi-Bi-Si-në, Bajdeni kritikoi mënyrën e komunikimit të Trampit dhe njoftimin se do të merrte Panamanë dhe Grenlandën dhe se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të federal i SHBA-së



